Futboll
Mjekja e Granit Xhakës kundërshton deklaratën e tij: “E kam vaksinuar siç duhet”
Mjekja nga Lucerni, Andrea L., thotë se e ka vaksinuar rregullisht Granit Xhakën kundër COVID-19 dhe se certifikata e lëshuar prej saj pasqyron vaksinimin real. Deklarata e saj bie ndesh me rrëfimin e fundit të kapitenit të Kombëtares së Zvicrës.
Çështja rreth certifikatës së vaksinimit kundër COVID-19 të Granit Xhakës po merr një tjetër zhvillim. Mjekja nga Lucerni, Andrea L. (54), e cila i kishte lëshuar futbollistit certifikatën e diskutueshme, këmbëngul se Xhaka është vaksinuar realisht.
“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, ka deklaruar ajo për mediumin zviceran Blick, transmeton albinfo.ch.
Sipas raportimit, Xhaka është nën hetim lidhur me dyshimet për përfitim të një certifikate të rreme të vaksinimit në vitin 2022. Hetimi lidhet me dyshime për falsifikim dokumentesh dhe me pyetjen nëse futbollisti ka përfituar në mënyrë të parregullt nga një dokument i tillë.
Xhaka pranoi se kishte siguruar certifikatë vaksinimi
Fillimisht, rrethi i Xhakës i kishte mohuar akuzat. Zëdhënësi i tij, Andreas Bantel, kishte deklaruar se futbollisti kishte konfirmim nga mjeku i tij se e kishte marrë vaksinën e parë më 25 janar 2022 dhe të dytën më 11 nëntor 2022. Më vonë, data e vaksinimit të dytë u korrigjua në 8 nëntor.
Megjithatë, të hënën Xhaka bëri një deklaratë publike përmes rrjeteve sociale, duke pranuar se kishte siguruar një certifikatë vaksinimi.
“Kisha një mosbesim të thellë ndaj vaksinës dhe isha i përfshirë nga frika dhe pasiguria. Në atë gjendje emocionale, sigurova një certifikatë vaksinimi në vend që t’i sqaroja pyetjet e mia përmes rrugëve të duhura. Sot e shoh qartë se kjo ishte rruga e gabuar. Ishte një gabim. Më vjen keq”, kishte shkruar Xhaka.
Mjekja: “E kam vaksinuar realisht”
Pavarësisht deklaratës së futbollistit, mjekja Andrea L. thotë se ajo e ka vaksinuar Xhakën dhe se certifikata e lëshuar prej saj është e saktë.
“E kam vaksinuar Xhakën siç duhet”, ka përsëritur ajo.
Sipas saj, Xhaka kishte kaluar COVID-19 në fillim të vitit 2021 dhe për këtë arsye, në rrethanat e atëhershme, një dozë vaksinimi mund të konsiderohej si përforcuese.
Mjekja thotë se futbollisti e kishte kontaktuar atë në fillim të vitit 2022 për të marrë certifikatën e COVID-19.
“Ai kishte kaluar COVID-19 më herët dhe kishte antitrupa. Për këtë arsye, vaksinimi i parë ishte menduar si dozë përforcuese”, ka shpjeguar ajo.
Sipas saj, për shkak të historikut të infektimit, vetëm një dozë ishte e nevojshme dhe kjo dozë, sipas pretendimit të saj, është administruar realisht.
“Ordinanca ime është ende e hapur”
Andrea L. ka mohuar gjithashtu raportimet se ordinanca e saj është mbyllur.
Ajo ka thënë se vazhdon të punojë dhe se ordinanca është e hapur normalisht për pacientët.
“Ngjarjet e ditëve të fundit janë befasuese dhe stresuese në të njëjtën kohë. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet së shpejti pozitivisht”, ka deklaruar ajo.
Mjekja, e cila ka punuar në këtë ordinancë për rreth 15 vjet, thotë se vazhdon t’i trajtojë pacientët dhe të caktojë edhe vizita urgjente.
“Nuk kam qenë skeptike ndaj vaksinës”
Në intervistë, mjekja ka mohuar gjithashtu se ka pasur qëndrime kundër vaksinimit.
“Kam qenë ndër personat e parë që jam vaksinuar në Lucern. E kam trajtuar COVID-19 me shumë seriozitet. Nuk kam qenë skeptike ndaj vaksinës”, ka thënë ajo.
Ajo pretendon se gjatë pandemisë ka vazhduar punën dhe se ordinanca e saj është kontrolluar rregullisht nga autoritetet kantonale shëndetësore.
Policia bastisi ordinancën në vitin 2023
Sipas informacioneve të raportuara nga Blick, policia kishte kontrolluar ordinancën e mjekes në vitin 2023 dhe kishte sekuestruar dokumente.
Sipas raportimit, hetimi fillestar lidhej me një kallëzim penal nga një kompani e sigurimeve shëndetësore, e cila e akuzonte mjekun për tejkalim të sasive të barnave të përshkruara për pacientët.
Gjatë kontrollit, autoritetet thuhet se kishin gjetur edhe dokumente të ndryshme që lidhen me COVID-19. Njëri prej tyre mbante emrin e Granit Xhakës.
Ndërkohë, zëdhënësi i Xhakës, Andreas Bantel, ka deklaruar për Blick: “Granit nuk ka asgjë për t’i shtuar deklaratës së tij.”
Hetimet për rastin vazhdojnë dhe, sipas parimit të prezumimit të pafajësisë, personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm derisa të provohet e kundërta me vendim të formës së prerë.
E-Diaspora
-
Fondacioni “Bajrije Ljama”, mbështetje konkrete për studentët në Maqedoninë e Veriut Pas 16 studentëve të mbështetur vitin e kaluar, këtë vit numri i përfituesve nga Fondacioni "Bajrije... -
Më 25 shtator 2026, grupi “Minatori” do të performojë live në Zvicër -
“Jo në emrin tim”, shqiptarët mblidhen për protestën e 27 shtatorit në Gjenevë -
Ansambli “Trojet” organizon mbrëmje festive për 28 Nëntorin në Winterthur -
“DUA” në Zurich Film Festival, filmi i Blerta Bashollit në garën ndërkombëtare
Jeta në Austri
-
Në Austri ndryshojnë kufijtë e tatimit, punëtorëve mund t’u rritet paga neto Nga 1 janari 2027, kufijtë e kategorive të tatimit mbi të ardhurat do të rriten me... -
Diaspora nga Zvicra, Gjermania e Austria në protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Edhe në Vjenë protestë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së -
Zbulohen mbi 18 kilogramë drogë: Arrestohen një shqiptar dhe një austriak -
Austri
Shqiptari dënohet me gjashtë vjet burg në Austri për nëntë vjedhje












