Kosova

Ekstradohet nga Franca në Kosovë një person i dënuar me 4 vjet burgim për armëmbajtje pa leje

Personi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Prishtinë – Policia e Kosovës ka realizuar ekstradimin nga Franca në Kosovë të një personi të kërkuar ndërkombëtarisht, i cili ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, transmeton albinfo.ch.

Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi është realizuar më 17 shtator nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante dhe institucionet e drejtësisë.

Personi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, pasi ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, ai është shoqëruar nga zyrtarët e ILECU-t dhe më pas është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali.

Sipas njoftimit të Policisë, personi i është dorëzuar institucioneve përkatëse për vuajtjen e dënimit të shqiptuar nga gjykata. /Albinfo.ch