Me moton “Jo në emrin tim”, ka nisur protesta në Prishtinë kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale me seli në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa numri i pjesëmarrësve është i lartë dhe po mbush pothuajse të gjitha sheshet e kryeqytetit, përcjell albinfo.ch.
Mijëra qytetarë nga Kosova, diaspora dhe vende të tjera janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, prej nga po zhvillohet protesta e thirrur për të shprehur kundërshtimin ndaj dënimeve të ish-krerëve të UÇK-së.
Protestës i janë bashkuar edhe familjarë të ish-komandantëve të UÇK-së, ndërsa turma e qytetarëve është shtrirë edhe në hapësirat përreth sheshit “Skënderbeu” dhe shesheve të tjera të Prishtinës.
Pjesëmarrësit po mbajnë pankarta dhe po përcjellin mesazhe në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Protesta është thirrur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga qytetarët e Kosovës dhe diaspora.
Policia e Kosovës ka njoftuar më herët se ka ndërmarrë masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës, duke u bërë thirrje pjesëmarrësve që të tregojnë maturi dhe të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë.
Protesta po vazhdon në sheshet e kryeqytetit, ku pjesëmarrja e qytetarëve mbetet e lartë.
/Albinfo.ch