Ekonomi

BE miraton tarifë të re për pakot që vijnë nga jashtë Unionit

Bashkimi Evropian ka miratuar një reformë të gjerë të sistemit doganor, e cila parashikon edhe vendosjen e një tarife të re për përpunimin e pakove të vogla që hyjnë në BE përmes tregtisë elektronike nga vendet e treta.

Sipas Këshillit të Bashkimit Evropian, tarifa e re do të zbatohet në të gjitha vendet anëtare jo më vonë se 1 nëntori 2026. Ajo synon të mbulojë kostot në rritje që kanë autoritetet doganore për kontrollin dhe monitorimin e numrit të madh të pakove të vogla që hyjnë në tregun evropian, përcjell albinfo.ch.

Shuma e tarifës së re ende nuk është përcaktuar. Komisioni Evropian do ta caktojë nivelin e saj para se shtetet anëtare të fillojnë zbatimin. Masa do të prekë dërgesat e vogla të shitura në distancë, veçanërisht ato që vijnë përmes platformave të tregtisë elektronike nga jashtë BE-së.

Tarifa e re nuk duhet ngatërruar me detyrimin doganor prej 3 eurosh, i cili zbatohet që nga 1 korriku 2026 për pakot me vlerë nën 150 euro. Shuma prej 3 eurosh llogaritet sipas kategorive të ndryshme të mallrave që ndodhen në një pako, ndërsa tarifa e re e përpunimit është një masë e veçantë.

Reforma ndryshon edhe përgjegjësinë për formalitetet doganore. Platformat e tregtisë elektronike jashtë BE-së do të konsiderohen importuese të mallrave që u shesin konsumatorëve evropianë dhe do të mbajnë përgjegjësi për formalitetet dhe pagesat doganore. Për shkeljet më serioze parashikohen gjoba që mund të arrijnë deri në 6 për qind të vlerës vjetore të importeve të kompanisë.

Sipas të dhënave të Këshillit të BE-së, gjatë vitit 2025 autoritetet doganore evropiane menaxhuan rreth 6 miliardë pako të tregtisë elektronike, ndërsa mbi 90 për qind e tyre erdhën nga Kina. Rritja e madhe e këtyre dërgesave është një nga arsyet kryesore për reformimin e sistemit doganor evropian.