Kosova

Çfarë shkruante Rexhep Qosja pas arrestimit të Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit

Në ditarin e tij të pabotuar, akademiku Rexhep Qosja kishte shënuar reagimet e tij pas arrestimit dhe dërgimit në Hagë të katër ish-krerëve të UÇK-së në nëntor të vitit 2020.

Në ditarin e tij të pabotuar, akademiku Rexhep Qosja kishte regjistruar me shqetësim zhvillimet e nëntorit të vitit 2020, kur Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan dhe u dërguan në Hagë, raporton albinfo.ch.

Fragmentet nga ditari, të shkruara më 4 dhe 5 nëntor 2020, janë publikuar në llogarinë e Rexhep Qoses në Facebook, e cila menaxhohet nga familjarët e tij.

Në shënimet e tij, Qosja përshkruan bastisjen e shtëpisë së Jakup Krasniqit, arrestimin e tij dhe të Rexhep Selimit më 4 nëntor, ndërsa një ditë më pas shënon arrestimin e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie!”

Duke shkruar për bastisjen e shtëpisë së Krasniqit, Qosja shprehet me tone të forta emocionale.

“Uniforma të EULEX-it iu kanë turrur sot shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe historianit, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe shtëpisë në fshatin e lindjes”, shkruan ai.

Sipas shënimit të tij, bastisja kishte zgjatur nga mëngjesi deri pasdite dhe, sipas raportimeve të mediave në atë kohë, kishte zgjatur rreth nëntë orë.

Qosja shkruan se gjatë bastisjes ishin marrë edhe libra të Krasniqit, duke reaguar: “Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie!”

Ai e konsideron arrestimin e Krasniqit dhe Selimit si një zhvillim që paralajmëronte, sipas tij, atë që do të ndodhte me Thaçin.

“Jam shumë i brengosur. Keqardhje e madhe më ka pushtuar. Po përjetojmë ditë të vështira!”, shkruan Qosja në ditarin e tij.

“Njëzet vjet pas luftës ne përndiqemi penalisht”

Në faqen e datës 5 nëntor 2020, Qosja shënon arrestimin e Thaçit dhe Veselit.

“Forcat në uniforma të EULEX-it sot kanë marrë Kryetarin e Kosovës, Hashim Thaçin, dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselin”, shkruan ai.

Qosja kujton gjithashtu dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit dhe atë të Veselit nga kreu i PDK-së, pas konfirmimit të aktakuzave nga Dhomat e Specializuara.

Në vijim, akademiku shpreh kundërshtimin e tij të hershëm ndaj krijimit të Dhomave të Specializuara.

“Njëzet vjet pas luftës ne përndiqemi penalisht e ‘juridikisht’ prej Gjykatës së Posaçme që krijuam vetë”, shkruan ai.

Qosja shënon se kishte qenë kundër krijimit të kësaj gjykate dhe se këtë qëndrim, sipas tij, e kishte shprehur edhe më herët përmes shkrimeve dhe intervistave.

“O, o, o sa jam i tronditur!”

Në ditarin e tij, Qosja shpreh bindjen e tij për karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së dhe kundërshton atë që ai e konsideronte si barazim të luftës së Kosovës me luftën e Serbisë.

“Lufta jonë ishte luftë mbrojtëse, luftë çlirimtare, luftë për të mbrojtur jetën tonë, shtëpitë tona, tokën tonë, ekzistencën tonë nga pushtimi, eksploatimi, shtypja e Serbisë”, shkruan ai.

Qosja përmend edhe Hashim Thaçin, duke shkruar se ai kishte qenë këmbëngulës për krijimin e Gjykatës Speciale.

Pas lajmit për dërgimin e Thaçit, Veselit dhe Selimit në Hagë, Qosja shkruan:

“O, o, o sa jam i tronditur! Dje Jakupi, Jakup Krasniqi, e sot këta të tre! Hashimi, Kadriu, Rexhepi!”

Në fund të shënimit të tij, akademiku ngre pyetje mbi qëllimin e gjykimeve dhe shkruan:

“Çka do Evropa? Çka do të arrijë me këto Gjykime të Gjykatës së Posaçme? Ta barazojë luftën tonë mbrojtëse me luftën pushtuese të Serbisë?!”

Shënimi përfundon me një thirrje emocionale:

“KOSOVË! KOSOVË! ÇKA PRITE!”

Fragmentet e ditarit, të shkruara në nëntor të vitit 2020, janë publikuar ndërsa procesi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së tashmë ka përfunduar me shpalljen e aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë./Albinfo.ch