Kosova

Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

Ish-ministri i Infrastrukturës u shpall fajtor në rigjykim, ndërsa Gjykata i ndaloi edhe ushtrimin e funksioneve në administratën publike për të njëjtën periudhë

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”, transmeton albinfo.ch.

Aktgjykimi është shpallur sot nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani.

Përveç dënimit me burgim, Gjykata ka shqiptuar ndaj Lekajt edhe dënim plotësues, duke i ndaluar ushtrimin e funksioneve në administratën publike për 3 vjet e 8 muaj. Ky dënim do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.

Lekaj dhe të akuzuarit e tjerë janë gjykuar lidhur me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

Rasti ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe e kishte kthyer çështjen në rivendosje. /Albinfo.ch