Bota

AfD me fitore historike, CDU pëson humbje të thellë

Partia e djathtë populiste Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka fituar bindshëm zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt, duke shënuar rezultatin më të mirë të saj ndonjëherë në zgjedhjet e një landi gjerman

AfD ka dalë bindshëm forca e parë në zgjedhjet e së dielës në landin gjerman Saksoni-Anhalt. Sipas projeksioneve të fundit të ARD-së, partia ka marrë rreth 44.2 për qind të votave, më shumë se dyfishi i rezultatit prej 20.8 për qind që kishte siguruar në vitin 2021.

Në anën tjetër, CDU ka pësuar një nga humbjet më të mëdha të mbrëmjes. Partia, e cila në zgjedhjet e vitit 2021 kishte marrë 37.1 për qind, këtë herë ka rënë në rreth 18 për qind. CDU kishte qeverisur Saksoni-Anhaltin që nga viti 2002, transmeton albinfo.ch.

Pas dy partive kryesore renditen Die Linke me rreth 9 për qind, të Gjelbrit me afër 9 për qind dhe SPD me rreth 8 për qind. BSW është pranë pragut prej 5 për qind, ndërsa FDP, sipas projeksioneve aktuale, mbetet jashtë parlamentit.

Pavarësisht fitores së thellë, mbetet e paqartë nëse AfD do të jetë në gjendje të marrë drejtimin e qeverisë së landit. Projeksionet tregojnë se partia mund të mbetet pak nën shumicën absolute të mandateve, ndërsa partitë e tjera kryesore kanë përjashtuar deri më tani mundësinë e një koalicioni me të.

Rezultati konsiderohet një goditje e rëndë politike për CDU-në dhe kancelarin Friedrich Merz, ndërsa fitorja në Saksoni-Anhalt përbën një moment historik për AfD-në në Gjermani.

Interesimi i qytetarëve për zgjedhjet ishte jashtëzakonisht i lartë. Sipas të dhënave të raportuara gjatë mbrëmjes zgjedhore, pjesëmarrja arriti rreth 80 për qind, krahasuar me 60.3 për qind në zgjedhjet e vitit 2021.

Rezultati përfundimtar paraprak pritet të bëhet i ditur të hënën në mëngjes, pasi numërimi i votave vazhdon.