Lajme

19-vjeçari shqiptar gjendet i vrarë në qelinë e burgut në Austri

Dy të rinjtë ndodheshin në të njëjtën qeli në sektorin e të miturve. Dyshohet se pas një përleshjeje, 17-vjeçari e mbyti shokun e qelisë dhe më pas e lëndoi për vdekje në qafë.

Një 19-vjeçar shqiptar është vrarë brenda qelisë së tij në burgun e Klagenfurtit në Austri. Për rastin dyshohet shoku i tij i qelisë, po ashtu 17 vjeç, i cili, sipas Prokurorisë së Klagenfurtit, e ka pranuar akuzën për vrasje gjatë marrjes në pyetje, shkruan orf.at, transmeton albinfo.at. 

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur natën e 1 shtatorit, në sektorin për të mitur, ku dy të rinjtë ishin vendosur në të njëjtën qeli.

Sipas hetimeve të deritanishme, mes tyre fillimisht kishte nisur një përleshje fizike. Hetuesit dyshojnë se i dyshuari e kishte mbytur viktimën derisa ai kishte humbur ndjenjat dhe më pas i kishte shkaktuar plagë fatale në qafë me një brisk njëpërdorimësh.

Viktima u gjet nga rojet e burgut në orët e hershme të mëngjesit, por, pavarësisht ndërhyrjes, nuk kishte më mundësi t’i shpëtohej jeta.

 

I dyshuari ishte në paraburgim që nga gushti

I dyshuari ndodhej në paraburgim në burgun e Klagenfurtit që nga 7 gushti. Ai dyshohej se kishte kërcënuar me vdekje anëtarë të familjes së tij dhe akuzohej edhe për tentativë zjarrvënieje.

Paraburgimi i ishte caktuar për shkak të rrezikut se mund të kryente vepra të tjera penale, ndërsa viktima ishte duke vuajtur një dënim me burg.

 

Hetim për gjendjen mendore të të dyshuarit

Rasti ka ngritur pikëpyetje edhe për mënyrën se si ishte trajtuar gjendja mendore e të dyshuarit.

Sipas Prokurorisë, pas arrestimit të tij ishte kërkuar një vlerësim psikiatrik, por raporti i ekspertit nuk kishte përfunduar deri në momentin kur ndodhi vrasja.

Pavarësisht shqetësimeve lidhur me gjendjen e tij mendore, 17-vjeçari ishte vendosur në një burg të zakonshëm dhe në një qeli të përbashkët me viktimën.

Ekspertët tani po vlerësojnë gjendjen e tij mendore, aftësinë për të mbajtur përgjegjësi penale dhe rrezikshmërinë e tij. Më 24 shtator pritet të merret vendim për vazhdimin e paraburgimit. Në varësi të rezultateve të ekspertizës, mund të shqyrtohet edhe vendosja e tij në një institucion të sigurt psikiatrik.

 

Avokati i Popullit nis hetim

Edhe Zyra e Avokatit të Popullit në Austri ka nisur hetim për rastin. Në fokus është nëse shenjat e problemeve të shëndetit mendor të të dyshuarit ishin trajtuar në kohë dhe nëse ai duhej të ishte vendosur veçmas nga të burgosurit e tjerë.

Hetimi zhvillohet në një kohë kur sistemi austriak i burgjeve po përballet me kritika për trajtimin e personave me probleme të shëndetit mendor.

Pas vdekjes së një 30-vjeçari në burgun e Hirtenbergut në dhjetor 2025, një komision i ngritur nga Ministria e Drejtësisë kishte evidentuar mangësi sistematike dhe kishte konstatuar se personi duhej të ishte vendosur në një institucion të sigurt psikiatrik.

Hetimet për vdekjen e shqiptarit në Klagenfurt po vazhdojnë. Ndaj të dyshuarit vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë./Albinfo.at