Lajme

Zviceranët kërkojnë masa konkrete kundër ngrohjes klimatike

Pas valës së të nxehtit gjatë verës, shumica e qytetarëve zviceranë kërkojnë masa më konkrete kundër ndryshimeve klimatike, përfshirë rinovimin energjetik të ndërtesave dhe instalimin e paneleve diellore.

Kjo rezulton nga një sondazh i realizuar nga 20 Minuten dhe Tamedia, transmeton albinfo.ch.

Pothuajse tre në katër të anketuar mendojnë se ndërmarrja e masave kundër ngrohjes klimatike është urgjente, ndërsa rreth një e katërta nuk sheh nevojë për masa shtesë. Mbështetja për forcimin e politikave mjedisore është dukshëm më e lartë te gratë, me 60%, krahasuar me 43% te burrat.

Mbështetjen më të madhe e kanë rinovimi energjetik dhe përmirësimi i izolimit të ndërtesave, të favorizuara nga katër në pesë të anketuar. Masa gëzon mbështetje edhe përtej ndarjeve politike: 89% e simpatizantëve të të Gjelbërve dhe 72% e mbështetësve të SVP/UDC janë në favor. Ndërkohë, 62% mbështesin më shumë ndihmë federale për bujqësinë për humbjet nga nxehtësia dhe thatësira, ndërsa 58% duan promovim më të madh të trenave të natës.

Edhe “Iniciativa Solare” gëzon mbështetje të konsiderueshme: 71% deklarohen “pro” ose “më shumë pro” propozimit që synon instalimin e detyrueshëm të sistemeve solare në ndërtesat e reja dhe gjatë rinovimit të kulmeve. Këshilli Federal rekomandon refuzimin e saj.

Sondazhi është zhvilluar më 19 dhe 20 gusht, me 12,780 persona në të gjithë Zvicrën, në bashkëpunim me institutin Leewas. Marzhi i gabimit është 1.4 pikë përqindjeje.