Greqia dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje të madhe në fushën e mbrojtjes, me vlerë rreth 3 miliardë euro, në kuadër të modernizimit të mbrojtjes ajrore greke.
Sipas Ministrisë greke të Mbrojtjes, marrëveshja është nënshkruar në Tel Aviv dhe parashikon zhvillimin e sistemit “Achilles Shield”, një rrjet të integruar për mbrojtje kundërajrore, antibalistike dhe kundër dronëve, përcjell albinfo.ch.
Sistemi do të përfshijë teknologji të avancuara izraelite, radarë dhe kapacitete të integruara komandimi e kontrolli, me synim forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore të Greqisë.
Në program pritet të përfshihen edhe kompani greke të industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë, si pjesë e bashkëpunimit industrial mes dy vendeve.
Marrëveshja është pjesë e një programi më të gjerë të Athinës për modernizimin e forcave të armatosura dhe forcimin e kapaciteteve të saj mbrojtëse.
Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes mes Greqisë dhe Izraelit është zgjeruar gjatë viteve të fundit, ndërsa marrëveshja e re konsiderohet një nga projektet më të mëdha të përbashkëta mes dy vendeve në këtë sektor.