Shefi i Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigade Chad Daniels, ka vizituar personelin e misionit në Mitrovicë, në kuadër të procesit të përshtatjes së pranisë dhe pozicionimit të forcave në terren.
Sipas njoftimit të KFOR-it, misioni po vazhdon të përshtatë pozicionimin e tij, duke ruajtur njëkohësisht praninë e dukshme, njohjen e situatës në terren dhe kontaktin me komunitetet, përcjell albinfo.ch.
KFOR-i ka theksuar se forcat mbeten të gatshme për të reaguar nëse situata e sigurisë e kërkon.
Ndryshimi i pozicionimit është pjesë e procesit gradual të optimizimit të pranisë së KFOR-it në Kosovë, i cili po zhvillohet në bazë të vlerësimit të situatës së sigurisë.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur më herët se, pavarësisht ndryshimeve në praninë e përhershme në Urën e Ibrit, do të vazhdojë të mbajë prani në zonën e Mitrovicës dhe në veri të Kosovës.