Lajme

Weidel: Gjermania do të dalë nga Schengeni nëse AfD merr pushtetin

Kryetarja e AfD-së kërkon mbylljen e kufijve dhe politikë më të ashpër të migracionit

Bashkëkryetarja e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, ka deklaruar se Gjermania duhet të dalë nga zona Schengen nëse partia e saj merr pushtetin, duke paralajmëruar njëkohësisht mbylljen e kufijve dhe masa më të ashpra në politikën e migracionit.

Në një intervistë verore për televizionin publik gjerman ZDF, Weidel ka thënë se partia e saj synon të parandalojë hyrjet e parregullta në Gjermani përmes kontrolleve më të forta kufitare, përcjell albinfo.ch.

E pyetur se si AfD do t’i realizonte dëbimet dhe marrëveshjet për kthimin e personave në vende si Siria dhe Afganistani, Weidel nuk dha një përgjigje konkrete për marrëveshjet me këto shtete, por tha se prioritet do të ishte parandalimi i hyrjeve në Gjermani.

“Atëherë dalim nga Schengeni”, tha Weidel, duke iu referuar planit të saj për mbylljen e kufijve. Ajo kritikoi gjithashtu dhënien e shtetësisë gjermane për persona të ardhur nga Siria dhe përsëriti kërkesën e AfD-së për një politikë më të rreptë të migracionit.

Gjatë intervistës, Weidel mbrojti edhe qëndrimin e partisë së saj lidhur me daljen nga euroja. Ajo e cilësoi monedhën e përbashkët si të paqëndrueshme dhe deklaroi se, sipas saj, Gjermania ishte në një gjendje më të mirë ekonomike para futjes së euros.

Weidel u shpreh gjithashtu e bindur se AfD do të arrijë të qeverisë jo vetëm në disa lande gjermane, por edhe në nivel federal. Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur partia po shënon rezultate të larta në sondazhe dhe në prag të zgjedhjeve në disa lande të Gjermanisë.