Një udhëtim drejt Prishtinës mund t’i kushtojë deri në 1.000 euro gjobë një nëne 38-vjeçare në Gjermani, pasi policia kufitare dyshon se ajo kishte tentuar të arsyetonte mungesën e fëmijëve nga shkolla me një emergjencë të pretenduar mjekësore në Kosovë, transmeton albinfo.ch.
Rasti u zbulua të enjten, më 8 tetor, gjatë kontrolleve të pasagjerëve para nisjes së një fluturimi të kompanisë Wizz Air nga Memmingeni drejt Prishtinës. Gruaja po udhëtonte me tre fëmijët e saj dhe kishte paraqitur dokumente për lirimin nga mësimi të dy prej tyre, duke iu referuar një situate urgjente shëndetësore në Kosovë.
Megjithatë, verifikimet e policisë ngritën dyshime mbi arsyen e paraqitur për udhëtimin. Sipas autoriteteve, biletat e fluturimit ishin rezervuar disa muaj më parë, çka vuri në pikëpyetje pretendimin se udhëtimi ishte organizuar për shkak të një emergjence të papritur.
Pas këtyre konstatimeve, shkollat përkatëse i tërhoqën lejet e mungesës dhe u njoftua edhe autoriteti përgjegjës për çështjet shkollore. Familjes iu lejua të vazhdonte udhëtimin drejt Kosovës, por ndaj nënës pritet të zhvillohet procedurë për shkelje të detyrimit shkollor.
Gjoba mund të arrijë deri në 1.000 euro
Në Gjermani, vijimi i shkollës është i detyrueshëm dhe mungesat gjatë ditëve mësimore, jashtë pushimeve zyrtare, duhet të miratohen nga institucioni arsimor. Prindërit që nuk i respektojnë këto rregulla mund të përballen me gjoba që, sipas policisë kufitare në Memmingen, zakonisht variojnë nga 200 deri në 800 euro, ndërsa në raste të veçanta mund të arrijnë deri në 1.000 euro, transmeton tutje albinfo.ch.
Kontrollet në aeroportet gjermane intensifikohen veçanërisht para dhe pas pushimeve shkollore, kur disa familje tentojnë të udhëtojnë gjatë ditëve të mësimit.
Se këto raste nuk janë të izoluara, e dëshmon edhe një aksion i zhvilluar në shkurt të këtij viti. Sipas policisë kufitare në Memmingen, vetëm në ditën e parë pas pushimeve të Karnavaleve, autoritetet identifikuan 21 fëmijë që duhej të ndodheshin në shkollë, por ishin në aeroport.
Rastet e evidentuara u përcillen institucioneve përgjegjëse shkollore, të cilat shqyrtojnë shkeljet dhe vendosin për masat e mëtejshme, përfshirë gjobat eventuale ndaj prindërve./Albinfo.ch