Kosova

Të shtëna në Malishevë, një grua e vdekur dhe një burrë i plagosur

Çifti u gjet i plagosur në një dhomë gjumi, ndërsa Policia po heton rastin si "Vrasje e rëndë"

Një grua ka humbur jetën, ndërsa bashkëshorti i saj ka mbetur i plagosur pas të shtënave me armë zjarri në fshatin Kërvasari të Malishevës.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar të dielën, më 23 gusht, rreth orës 23:20. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një dhomë gjumi kanë gjetur çiftin bashkëshortor të plagosur nga arma e zjarrit, përcjell albinfo.ch.

Të dyve u është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në këtë rast.

Rreth orës 01:10, Policia është njoftuar nga QKUK-ja se gruaja kishte ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra. Sipas raportimeve të QKUK-së, viktima ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.

Në vendngjarje ka dalë edhe prokurori i shtetit dhe, me vendim të tij, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes janë duke vazhduar.