Një fluks i madh qytetarësh nga Kosova drejt Shqipërisë është regjistruar gjatë fundjavës në pikën kufitare të Morinës.
Vetëm të dielën, nga ora 05:00 deri në 09:30, në Shqipëri kanë hyrë 17.218 qytetarë të Kosovës me 4.892 automjete, përcjell albinfo.ch.
Bashkë me lëvizjet e regjistruara gjatë së shtunës, numri i përgjithshëm ka arritur në 41.626 qytetarë dhe 13.484 automjete.
Për shkak të fluksit të madh të automjeteve, në disa periudha janë krijuar edhe kolona dhe pritje më të gjata.
Qarkullimi i shtuar lidhet me lëvizjet e fundjavës dhe sezonin veror, kur numri i qytetarëve që udhëtojnë mes Kosovës dhe Shqipërisë është tradicionalisht më i lartë.
Autoritetet kufitare kanë vazhduar menaxhimin e qarkullimit, ndërsa udhëtarët janë këshilluar të kenë parasysh mundësinë e pritjeve më të gjata gjatë orëve me ngarkesë më të madhe.