Një gjykatëse federale në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar vendimin e administratës amerikane për pezullimin e shqyrtimit të vizave të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve, përfshirë Kosovën.
Sic njofton ReL, Gjykata e Qarkut Jugor të Nju Jorkut e ka vlerësuar masën si të “kundërligjshme”. Gjykatësja Jeannette Vargas konstatoi se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte “tejkaluar autoritetin e tij” me marrjen e këtij vendimi, përcjell albinfo.ch.
Masa, e cila hyri në fuqi në janar të këtij viti, pezullonte shqyrtimin e aplikimeve për viza emigrimi nga shtetasit e 75 vendeve. Në listë, krahas Kosovës, përfshiheshin edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.
Në mesin e vendeve të prekura ishin gjithashtu Afganistani, Egjipti, Brazili, Iraku, Nigeria, Somalia, Tajlanda dhe Jemeni.
Në janar, Departamenti amerikan i Shtetit kishte njoftuar se shqyrtimi i vizave të emigrimit për shtetasit e këtyre vendeve do të pezullohej, duke argumentuar se një pjesë e emigrantëve prej tyre përfitonin ndihma sociale në nivele që administrata i konsideronte të papranueshme.
Gjykatësja Vargas, megjithatë, konstatoi se zyrtarët konsullorë ishin udhëzuar gabimisht që të refuzonin vizat e emigrimit duke u bazuar vetëm në vendin e origjinës së aplikuesit.
Administrata amerikane ka mundësi ta apelojë vendimin e gjykatës federale.
Para vendosjes së masës, më 4 janar, presidenti amerikan Donald Trump kishte publikuar në Truth Social një listë të vendeve, emigrantët e të cilave, sipas të dhënave të publikuara prej tij, përfitonin ndihmë sociale nga Qeveria amerikane.
Në këtë listë figuronte edhe Kosova. Sipas të dhënave të publikuara nga Trump, 46 për qind e emigrantëve nga Kosova që jetojnë në SHBA përfitonin ndihmë sociale nga shteti amerikan.
Trump kishte premtuar gjatë fushatës për mandatin e tij të dytë presidencial masa më të ashpra ndaj migrimit të parregullt. Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë, administrata e tij ka ndërmarrë një sërë masash që synojnë përshpejtimin e dëbimeve dhe reduktimin e kalimeve të paligjshme kufitare.