Kosova

Vapa kufizon qarkullimin e kamionëve mbi 20 tonë

Kufizimi do të vlejë në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30

Për shkak të temperaturave të larta, sot në Kosovë do të kufizohet përkohësisht qarkullimi i kamionëve me peshë mbi 20 tonë në autoudhë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, përcjell albinfo.ch.

Masa është ndërmarrë për shkak të temperaturave të larta dhe synon mbrojtjen e infrastrukturës rrugore gjatë orëve kur temperaturat arrijnë nivelet më të larta.

Në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të rënda do të vazhdojë pa kufizime.

Nga kjo masë përjashtohen automjetet e institucioneve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimet emergjente dhe automjetet e institucioneve shëndetësore.

Kufizimi është i përkohshëm dhe vlen vetëm për periudhën e përcaktuar gjatë ditës së sotme.