Financa

Zvicra dhe Kina përfundojnë negociatat për tregtinë e lirë

Marrëveshja e përmirësuar pritet të zgjerojë qasjen e produkteve zvicerane në tregun kinez

Zvicra dhe Kina kanë përfunduar negociatat për përmirësimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë mes dy vendeve, duke hapur rrugën për lehtësime të reja në shkëmbimet tregtare.

Përfundimi i negociatave u bë i ditur pas takimit në Bernë mes presidentit të Konfederatës, Guy Parmelin, dhe ministrit kinez të Tregtisë, Wang Wentao, përcjell albinfo.ch.

Marrëveshja e përmirësuar parashikon kushte më të favorshme për eksportet zvicerane drejt Kinës. Sipas njoftimit zyrtar, rreth 99.8 për qind e eksporteve aktuale zvicerane pritet të mund të hyjnë pa tarifa doganore në tregun kinez.

Ndryshimet synojnë gjithashtu të përmirësojnë qasjen në treg për produkte të ndryshme dhe të forcojnë më tej marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Zvicra dhe Kina kanë një marrëveshje të tregtisë së lirë prej disa vitesh, ndërsa negociatat e fundit kanë pasur për qëllim përshtatjen dhe zgjerimin e saj me zhvillimet e reja ekonomike.

Pas përfundimit të negociatave, marrëveshja duhet të kalojë nëpër hapat e mëtejshëm institucionalë para se ndryshimet e reja të hyjnë në fuqi.