Kosova

Pranvera Hyseni prezanton Kosovën në konferencën e astronomisë në SHBA

Astronomja nga Kosova ishte ndër folëset e veçuara në konferencën kombëtare ALCON 2026 në Cincinnati

Astronomja kosovare Pranvera Hyseni ka prezantuar punën e saj kërkimore dhe zhvillimin e astronomisë në Kosovë para një audience të profesionistëve dhe të apasionuarve të astronomisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Hyseni ishte një nga folëset e veçuara në ALCON 2026, konferencën kombëtare të Astronomical League, e zhvilluar në Cincinnati, përcjell albinfo.ch.

Gjatë prezantimit të saj, ajo foli për kërkimet që po zhvillon mbi asteroidët, përfshirë ujin dhe përbërjet organike në këto trupa qiellorë.

Një pjesë të prezantimit Hyseni ia kushtoi edhe rrugëtimit të astronomisë në Kosovë, duke folur për punën e bërë ndër vite dhe zhvillimin e observatorit dhe aktiviteteve astronomike në vend.

Hyseni është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Kalifornisë, Santa Cruz, ndërsa është gjithashtu themeluese e Astronomy Outreach of Kosovo dhe ambasadore e Celestron.

ALCON 2026 mblodhi studiues, astronomë, edukatorë dhe të apasionuar pas astronomisë nga vende të ndryshme, ndërsa Hyseni ishte në mesin e emrave të përzgjedhur për prezantimet kryesore të konferencës.