Lajme
Greva e sektorit publik në Gjenevë, ndikim i kufizuar në nisjen e vitit të ri shkollor
Greva e punonjësve të sektorit publik në Gjenevë pati ndikim të kufizuar në nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027. Sipas një vlerësimi të Departamentit të Arsimit Publik (DIP), vetëm rreth 1 për qind e stafit arsimor u deklarua në grevë.
Mijëra nxënës në Zvicrën frankofone u rikthyen të hënën në shkolla, ndërsa në Gjenevë dita e parë e mësimit përkoi me një tjetër ditë protestash të sektorit publik.
Në sektorin e arsimit, mobilizimi mbeti i kufizuar. Sipas të dhënave të DIP-it, në grevë morën pjesë rreth 140 persona, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me protestat e mëparshme: rreth 1 100 pjesëmarrës në qershor dhe 1 900 në prill.
Në mbrëmje, rreth 500 persona protestuan kundër shkurtimeve buxhetore në kanton.
Nuk u arrit synimi për bllokimin e nisjes së shkollës
Sindikatat kishin paralajmëruar se synonin të “bllokonin nisjen e vitit shkollor”. Megjithatë, deri tani, ky objektiv nuk është realizuar.
Data e zgjedhur për grevën ishte veçanërisht e rëndësishme për mësuesit. Shumë prej tyre zgjodhën të paraqiteshin në punë dhe të nisnin vitin shkollor, pavarësisht thirrjes për grevë.
Anne Hiltpold, këshilltare shtetërore dhe drejtuese e Departamentit të Arsimit Publik, e konsideroi këtë një zhvillim pozitiv.
“Greva nuk shkaktoi asnjë bllokim. Ajo që është shumë e kënaqshme dhe pozitive është të shohësh se prioriteti i mësuesve është nisja e vitit shkollor dhe nxënësit, dhe jo domosdoshmërisht mosmarrëveshjet”, deklaroi ajo në edicionin informativ të mbrëmjes.
Sindikatat, megjithatë, kërkojnë që shifrat të interpretohen me kujdes.
“Shumë mësues nuk dëshironin veçanërisht të hynin në grevë sot, sepse ishte dita kur prisnim nxënësit dhe kishim informacione që duhej t’ua përcillnim. Mendoj se duhet të shohim shifrat e së martës”, tha Terence Wenger, president i Kartelit Ndërsindikal të Gjenevës.
Protesta kundër masave të kursimit
Pakënaqësia e punonjësve shtetërorë në Gjenevë nuk është e re. Grevat dhe ndërprerjet e punës kanë vijuar prej disa muajsh dhe prekin të gjithë administratën publike, si dhe sektorin e subvencionuar, jo vetëm arsimin.
Protestat lidhen kryesisht me planin e gjerë të kursimeve të propozuar nga Këshilli Shtetëror i Gjenevës. Plani mund të arrijë në rreth 500 milionë franga dhe të prekë disa sektorë, përfshirë arsimin.
Pakënaqësinë e punonjësve e ka shtuar edhe ngrirja e shtesave vjetore dhe mekanizmave të tjerë të pagave për këtë vit.
Në pankartat e protestuesve u shfaqën kërkesa të tilla si: “Jo masave të austeritetit”, “Indeksim i plotë i pagave” dhe “Më shumë staf”.
Qeveria e Gjenevës pritet të paraqesë brenda një muaji planin e saj për përballimin e vështirësive financiare të kantonit. Deri atëherë, sindikatat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin dhe mobilizimin/albinfo.ch/
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum Trupa kosovare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum, duke... -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C -
Talentet e Kosovës synojnë Oxford-in, nis fushata për mbështetjen e nxënësve të rinj -
Romë
Nga Prizreni në Romë: Hira Haxhibeqiri po ngjitet në skenën e muzikës serioze
Jeta në Austri
-
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit Në gjysmën e parë të këtij viti, 17 për qind më shumë njerëz u natyralizuan në... -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas













