Lajme
Greva e sektorit publik në Gjenevë, ndikim i kufizuar në nisjen e vitit të ri shkollor
Greva e punonjësve të sektorit publik në Gjenevë pati ndikim të kufizuar në nisjen e vitit të ri shkollor 2026–2027. Sipas një vlerësimi të Departamentit të Arsimit Publik (DIP), vetëm rreth 1 për qind e stafit arsimor u deklarua në grevë.
Mijëra nxënës në Zvicrën frankofone u rikthyen të hënën në shkolla, ndërsa në Gjenevë dita e parë e mësimit përkoi me një tjetër ditë protestash të sektorit publik.
Në sektorin e arsimit, mobilizimi mbeti i kufizuar. Sipas të dhënave të DIP-it, në grevë morën pjesë rreth 140 persona, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me protestat e mëparshme: rreth 1 100 pjesëmarrës në qershor dhe 1 900 në prill.
Në mbrëmje, rreth 500 persona protestuan kundër shkurtimeve buxhetore në kanton.
Nuk u arrit synimi për bllokimin e nisjes së shkollës
Sindikatat kishin paralajmëruar se synonin të “bllokonin nisjen e vitit shkollor”. Megjithatë, deri tani, ky objektiv nuk është realizuar.
Data e zgjedhur për grevën ishte veçanërisht e rëndësishme për mësuesit. Shumë prej tyre zgjodhën të paraqiteshin në punë dhe të nisnin vitin shkollor, pavarësisht thirrjes për grevë.
Anne Hiltpold, këshilltare shtetërore dhe drejtuese e Departamentit të Arsimit Publik, e konsideroi këtë një zhvillim pozitiv.
“Greva nuk shkaktoi asnjë bllokim. Ajo që është shumë e kënaqshme dhe pozitive është të shohësh se prioriteti i mësuesve është nisja e vitit shkollor dhe nxënësit, dhe jo domosdoshmërisht mosmarrëveshjet”, deklaroi ajo në edicionin informativ të mbrëmjes.
Sindikatat, megjithatë, kërkojnë që shifrat të interpretohen me kujdes.
“Shumë mësues nuk dëshironin veçanërisht të hynin në grevë sot, sepse ishte dita kur prisnim nxënësit dhe kishim informacione që duhej t’ua përcillnim. Mendoj se duhet të shohim shifrat e së martës”, tha Terence Wenger, president i Kartelit Ndërsindikal të Gjenevës.
Protesta kundër masave të kursimit
Pakënaqësia e punonjësve shtetërorë në Gjenevë nuk është e re. Grevat dhe ndërprerjet e punës kanë vijuar prej disa muajsh dhe prekin të gjithë administratën publike, si dhe sektorin e subvencionuar, jo vetëm arsimin.
Protestat lidhen kryesisht me planin e gjerë të kursimeve të propozuar nga Këshilli Shtetëror i Gjenevës. Plani mund të arrijë në rreth 500 milionë franga dhe të prekë disa sektorë, përfshirë arsimin.
Pakënaqësinë e punonjësve e ka shtuar edhe ngrirja e shtesave vjetore dhe mekanizmave të tjerë të pagave për këtë vit.
Në pankartat e protestuesve u shfaqën kërkesa të tilla si: “Jo masave të austeritetit”, “Indeksim i plotë i pagave” dhe “Më shumë staf”.
Qeveria e Gjenevës pritet të paraqesë brenda një muaji planin e saj për përballimin e vështirësive financiare të kantonit. Deri atëherë, sindikatat kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë presionin dhe mobilizimin/albinfo.ch/
E-Diaspora
-
Marigona Qerkezi rikthehet në Zagreb për një gala madhështore të operës Sopranoja shqiptare do të ndajë skenën me tenorin e njohur ndërkombëtarisht Piotr Beczała, në koncertin që... -
19-vjeçari nga Kosova arrestohet pas një grabitjeje në Bad Säckingen -
Nga Struga në politikën suedeze: Arijeta Reçi synon Parlamentin e Suedisë -
Cyrih: Promovohet libri i Arbër Ahmetajt “Gruaja e ambasadorit” -
Itali, vrau kosovarin për 30 mijë euro borxh dhe ia dogji trupin
Jeta në Austri
-
Austri: Rregulli i ri i pensioneve duhet të sjellë më shumë para për të gjithë në të ardhmen Qeveria po reformon shtyllën e dytë të sistemit të pensioneve. Nga viti 2028, pensioni suplementar do... -
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci












