Shqipëria

Të ardhura rekord nga qiraja ditore: Ky destinacion bregdetar kryeson Shqipërinë

Tregu i qirave afatshkurtra në Shqipëri po zgjerohet gjithnjë e më shumë, ndërsa zonat bregdetare po shfaqin potencialin më të madh për të ardhura, sidomos gjatë sezonit turistik.

Tirana vazhdon të jetë destinacioni më i qëndrueshëm gjatë gjithë vitit. Kërkesa në kryeqytet mbështetet kryesisht nga udhëtimet e biznesit, aktivitetet dhe eventet, vizitat familjare, si dhe turistët që qëndrojnë për periudha të shkurtra.

Ndërkohë, qytetet bregdetare kanë një model tjetër. Të ardhurat përqendrohen kryesisht gjatë muajve të verës, por pronarët kanë mundësi të aplikojnë tarifa më të larta. Durrësi përfiton nga afërsia me Tiranën dhe nga një sezon relativisht i gjatë turistik, ndërsa Vlora, Saranda dhe Ksamili tërheqin një numër të madh vizitorësh gjatë verës.

Pikërisht në këto destinacione, një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave vjetore nga një pronë mund të sigurohet vetëm brenda disa muajve.

Edhe qytetet me karakter historik po përfitojnë nga zhvillimi i turizmit. Berati dhe Gjirokastra tërheqin kryesisht turistë të huaj, grupe turistike dhe vizitorë që qëndrojnë për pak ditë. Korça ka kërkesë më të lartë gjatë fundjavave, festave dhe muajve të dimrit, ndërsa Shkodra po fiton terren falë turizmit të natyrës, afërsisë me Alpet dhe rolit si pikënisje për udhëtimet drejt veriut të Shqipërisë.

Zgjerimi i këtij tregu ka krijuar modele të ndryshme investimi. Disa pronarë japin me qira banesat që nuk i përdorin, ndërsa të tjerë kanë blerë apartamente me qëllim të drejtpërdrejtë për t’i ofruar në tregun e qiradhënies ditore. Në rritje është edhe modeli ku operatorët marrin apartamente me qira afatgjatë dhe më pas i ofrojnë për qëndrime afatshkurtra.

Megjithatë, fitimi nuk përcaktohet vetëm nga qyteti ku ndodhet prona. Rëndësi të madhe kanë edhe pozicioni i apartamentit, distanca nga plazhi apo qendra e qytetit, standardi i banesës, vlerësimet e klientëve në platformat online dhe niveli i zënies gjatë sezonit.

Të dhënat e AirDNA, të vëna në dispozicion për “Monitor”, tregojnë se gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit ishin të listuara rreth 27.7 mijë njësi për qiradhënie afatshkurtër në Shqipëri.

Pjesën më të madhe e zinte zona Vlorë-Sarandë, me rreth 10.2 mijë njësi, ose afërsisht 37% të totalit.

Tirana renditej e dyta, me rreth 5.5 mijë apartamente, që përbënin rreth 20% të njësive të listuara.

Në vendin e tretë ishte zona e Durrësit dhe Golemit, me rreth 6 mijë njësi gjithsej. Ndërkohë, Shkodra renditej pas tyre, me rreth 1.4 mijë apartamente të ofruara mesatarisht për qira ditore gjatë periudhës janar-qershor.

Të dhënat tregojnë se ndërsa Tirana ofron stabilitet gjatë gjithë vitit, bregdeti mbetet zona me potencialin më të lartë për të ardhura nga qiradhënia ditore, veçanërisht gjatë sezonit veror.