Shqipëria
Pensionet në Shqipëri, si krahasohen me vendet e tjera evropiane
Të dhënat zyrtare të Eurostat për raportin e përgjithshëm të zëvendësimit dëshmojnë një tkurrje drastike të këtij treguesi, i cili ka rënë nga 0.43 në vitin 2019 në vetëm 0.30 në vitin 2023
Sistemi i pensioneve në Shqipëri regjistron tashmë shkallën më të ulët të zëvendësimit në të gjithë hapësirën evropiane, çka tregon se pensionistët po përballen me presion të dyfishte, nga rënia e të ardhurave dhe rritja e çmimeve.
Të dhënat zyrtare të Eurostat për raportin e përgjithshëm të zëvendësimit dëshmojnë një tkurrje drastike të këtij treguesi, i cili ka rënë nga 0.43 në vitin 2019 në vetëm 0.30 në vitin 2023.
Kjo shifër alarmante tregon se pensioni mesatar bruto në vend përfaqëson tashmë vetëm 30% të pagës mesatare të grupit moshor aktiv 50-59 vjeç, duke thelluar hendekun mes të ardhurave të pensionistëve dhe ritmit më të shpejtë të rritjes së pagave në vendin tonë (të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2023, për Evropën 2025).
Ky nivel e pozicionon Shqipërinë jo vetëm në fund të Ballkanit Perëndimor, por edhe në skajin më të ulët krahasuar me të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, ku mesatarja e bllokut është e qëndrueshme, në rreth 0.57 – 0.60 e pagës mesatare, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.
Për më tepër, vendet e rajonit regjistrojnë tregues dukshëm më të lartë, ku Serbia ka një raport 0.48, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ruajnë nivele më të favorshme, ndërsa vende si Greqia, Italia apo Spanja arrijnë vlera nga 0.75 deri në 0.78.
Kjo rënie e paprecedentë në Shqipëri është pasojë direkte e disa faktorëve strukturorë që minojnë skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.
Së pari, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe deklarimi i pagave pjesërisht nën dorë gjatë viteve të punës reduktojnë ndjeshëm bazën e kontributeve dhe madhësinë e pensionit.
Së dyti, skema shqiptare vuan nga ngurtësia e formulës së indeksimit, e cila nuk ka arritur kurrë të përshtatet me rritjen nominale të pagave në sektorin privat.
Nga ana tjetër, raporti i pafavorshëm i varësisë demografike, i cili po përkeqësohet vazhdimisht për shkak të emigracionit të popullsisë së re dhe plakjes së shpejtë të shoqërisë, ushtron presion mbi financat e skemës publike.
Dështimi i qeverisë për të mbrojtur të moshuarit është pasojë e drejtpërdrejtë e nënvlerësimit të politikave qeveritare ndaj kësaj shtrese.
Formula aktuale e indeksimit, e cila bazohet kryesisht te rritja e çmimeve të shportës (inflacioni) dhe jo te rritja e pagave në ekonomike, ka ndikuar në rritjen e hendekut ndërmjet pagave dhe pensioneve.
Ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë politika për rritjen e pagave minimale dhe mesatare në sektorin publik, skema e pensioneve është lënë në hije përmes rritjeve simbolike, duke bërë që pensionistët të mos përfitojnë asgjë nga rritja e përgjithshme e produktivitetit dhe pasurisë kombëtare.
Në vendet e Bashkimit Evropian apo edhe të rajonit qeveritë ndërhyjnë rregullisht me skema shtesë të mbrojtjes sociale.
Edhe pse qeveria ka ndërmarrë disa fushata kundër informalitetit, mungesa e një mekanizmi efikas kontrolli për dekada të tëra ka lejuar që qindra mijëra punonjës të deklarohen me pagë minimale ndërkohë që pjesa tjetër paguhet nën dorë.
Mungesa e vullnetit politik për të ndëshkuar rreptësisht këtë fenomen po bën që pensionet e reja vit pas viti t dalin me të ulëta në vlerë, ndërkohë që e kundërta duhet të ndodhte.
Gjithashtu qeveria ka dështuar të krijojë një mjedis të besueshëm dhe nxitës fiskal për zhvillimin e fondeve private të pensioneve. Mungesa e reformave inkurajuese për kursimin individual të detyrueshëm apo vullnetar ka lënë të gjithë barrën e sigurimit të jetesës vetëm mbi skemën publike, e cila tani po shembet nën peshën e saj.
Të tjera nga Shqipëria
E-Diaspora
-
Në Aarau u shënua përvjetori i dhjetë i shenjtërimit të Nënë Terezës "Nënë Tereza mbetet një urë bashkimi, një krenari e përbashkët e popullit shqiptar dhe një dhuratë... -
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?












