Kosova

Opozita kërkon vazhdimin e menjëhershëm të seancës konstituive: “Nuk ka më arsye për vonesa”

PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar që Kuvendi të mblidhet sa më shpejt, ndërsa kanë shtuar presionin ndaj kryesuesit Avni Dehari për vazhdimin e seancës konstituive.

Përfaqësuesit e tri partive parlamentare që janë deklaruar se do të mbeten në opozitë kanë kërkuar vazhdimin sa më të shpejtë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vlerësuar se nuk ka më arsye për zvarritjen e procesit, përcjell albinfo.ch.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar që vazhdimi i seancës të mbahet në orën 11:00, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se, pas tërheqjes nga negociatat me Lëvizjen Vetëvendosje, nuk ekziston më asnjë arsye për vonesa në konstituimin e institucioneve.

Në një konferencë të përbashkët për media, deputeti i PDK-së, Arian Tahiri, tha se partia e tij i ka dërguar një kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, duke i kërkuar që ta ushtrojë përgjegjësinë e tij kushtetuese dhe të thërrasë vazhdimin e seancës.

“Ai duhet ta ushtrojë detyrën e vet në bazë të rregullores së punës së parlamentit, ta respektojë ligjin dhe Kushtetutën, në mënyrë që të konstituohet parlamenti dhe vendi të kthehet në normalitet”, ka deklaruar Tahiri.

Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e ka cilësuar situatën aktuale si një emergjencë kombëtare, duke akuzuar pushtetin për tendenca që, sipas tij, cenojnë rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve demokratike.

Ai ka paralajmëruar se, përveç rrugëve institucionale, opozita do të ndërmarrë edhe veprime të tjera politike për të garantuar funksionimin e institucioneve.

Ndërkohë, LDK-ja ka njoftuar se është tërhequr nga negociatat me Vetëvendosjen për ndarjen e posteve institucionale. Kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se LDK-ja ka hequr dorë nga të gjitha kërkesat për përfshirje në Qeveri, Kuvend dhe Presidencë, duke kërkuar vetëm që presidenti i ardhshëm të jetë figurë konsensuale dhe jopartiake.

“Nga ky moment, askush nuk ka më arsye, as alibi dhe as të drejtë ta vonojë konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe nisjen e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit. Jemi vonë. Të mos humbim më kohë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ndërkohë, Vetëvendosje ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj ndryshimit të qëndrimit të LDK-së.

Paralelisht me zhvillimet në Kuvend, deputetët e PDK-së kanë protestuar sërish para ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.

Deputeti i kësaj partie, Arben Mustafa, e ka quajtur kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, “uzurpator”, duke argumentuar se ai nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të kryeministrit.

Kriza institucionale vazhdon edhe pse afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar. Deri më tani, deputetët kanë bërë betimin, por procesi ka mbetur i bllokuar në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje ka argumentuar se konstituimi i Kuvendit duhet të lidhet me një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit, me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja të parakohshme. /Albinfo.ch