Kosova
Shoqëritë civile i drejtohen Gjykatës Kushtetuese të Kosovës
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht
Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë që të ndërmarrë veprime lidhur me zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Organizatat, të udhëhequra nga AVONET, kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues.
Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, transmeton albinfo.ch.
Në këtë rast, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.
Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse Aktgjykimi përkatës është zbatuar në mënyrë të rregullt.
“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e publikuar.
Partitë të ndara për afatin e konstituimit
Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se procesi i konstituimit duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme, duke argumentuar se obligimi kushtetues vazhdon të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit 30-ditor. Ajo ka kërkuar që seanca të vazhdojë dhe ka paralajmëruar veprime ligjore, politike dhe demokratike.
Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa ka zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur nevojën për një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për konsultime me partitë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin e procesit, ndërsa ka refuzuar takimet e propozuara nga Kurti.
Kuvendi ende në ngërç
Kërkesa e organizatave vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por procesi u përball me shtyrje dhe paqartësi rreth mënyrës se si do të vazhdohej me konstituimin e plotë të institucionit.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera politike, duke e lidhur nevojën për një marrëveshje më të gjerë edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
Mungesa e një marrëveshjeje politike për presidentin ishte një prej çështjeve që çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke pritur – mes flamurit të Bashkimit Evropian dhe atij të Kosovës – para hyrjes së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë.
Ngërçi institucional ka pasoja edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro në kuadër të këtij plani për periudhën 2024–2027. Deri tani, vendi ka pranuar 61.8 milionë euro në formë parafinancimi.
Për pjesën tjetër të mjeteve, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave. Gjithsej 27 hapa reformues, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat përfundimtar për përmbushje deri në dhjetor të vitit 2026.
Komisioni Evropian ka paralajmëruar se kriza politike tashmë ka ndikuar në ritmin e zbatimit të reformave dhe ka vënë në rrezik një pjesë të financimit.
E-Diaspora
-
Ambasadorët dhe bizneset diskutojnë mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik Forumi Business to Ambassador (B2A), i zhvilluar në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve, mblodhi... -
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify -
Prishtinë
Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve” -
320 të rinj nga diaspora pjesë e programit OriginAL -
“Të largohesh apo të qëndrosh?” – Migrimi dhe dilemat e të rinjve në filmat e DokuFestit
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë












