Kosova

Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve”

Rastet e drejtimit të lazerëve nga toka në drejtim të avionëve që aterojnë dhe ngrihen nga Aeroporti i Prishtinës janë shtuar së fundmi. Kontrollorët e trafikut ajror paralajmërojnë për rrezikun serioz që paraqet kjo dukuri për sigurinë e fluturimeve.

Një rreze lazeri e drejtuar nga toka në drejtim të një avioni mund të shkaktojë pasoja serioze për sigurinë e fluturimit, veçanërisht gjatë fazave të ngritjes dhe aterrimit, transmeton albinfo.ch.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kohët e fundit janë shtuar rastet e raportuara të ndriçimit me lazer ndaj avionëve që janë në proces të aterrimit apo ngritjes.

Kontrollorët e trafikut ajror kanë ngritur shqetësimin për këtë dukuri, duke theksuar se një veprim i tillë mund të rrezikojë qindra pasagjerë në bord, ekuipazhet e fluturimit, por edhe sigurinë e banorëve që jetojnë në zonat përreth aeroportit.

Sipas kontrollorëve, në disa raste dyshohet se pas përdorimit të lazerëve qëndrojnë të rinj dhe adoleshentë, të cilët mund të mos jenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë drejtimi i një rrezeje lazeri drejt kabinës së një avioni.

Rrezja e fortë e lazerit mund të shpërqendrojë pilotët, t’ua vështirësojë shikimin dhe, në raste të caktuara, të shkaktojë verbim të përkohshëm. Rreziku është veçanërisht i madh gjatë aterrimit dhe ngritjes, kur pilotët duhet të kenë përqendrim maksimal.

Për trajtimin e rasteve të tilla është angazhuar edhe Policia Kufitare, e cila vepron në hapësirat e aeroportit. Zyrtarët policorë i trajtojnë këto raste me seriozitet, pasi bëhet fjalë për veprime që mund të cenojnë sigurinë e aviacionit.

Personat që përdorin lazerë në drejtim të avionëve mund të përballen edhe me pasoja të rënda ligjore. Sipas policisë së Kosovës  për veprime të tilla mund të shqiptohet edhe dënim me burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Kontrollorët e trafikut ajror kanë bërë të ditur se me lazerë janë shënjestruar edhe helikopterë të KFOR-it.

Në disa raste, pjesëtarët e KFOR-it kanë arritur të identifikojnë personat që dyshohet se kanë përdorur lazerët dhe, sipas kontrollorëve, kanë ateruar në afërsi të tyre, pas së cilës janë ndërmarrë procedurat përkatëse.

Autoritetet apelojnë që qytetarët të mos përdorin lazerë në drejtim të avionëve apo helikopterëve, duke theksuar se ajo që mund të duket si një veprim i padëmshëm mund të shndërrohet në rrezik serioz për jetën e njerëzve dhe sigurinë e fluturimeve./Albinfo.ch