Shqipëria

Rama: Zjarri i madh në Krujë kalon pa pasoja në njerëz

Edi Rama theksoi se, pavarësisht erës së fortë dhe vështirësive për ndërhyrje nga ajri gjatë natës, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në njerëz

Kryeministri shqiptar Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X për situatën e krijuar nga zjarri në malin e Krujës, duke vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtrisë dhe policisë në përballimin e situatës.

Rama theksoi se, pavarësisht erës së fortë dhe vështirësive për ndërhyrje nga ajri gjatë natës, zjarri u vu nën kontroll pa shkaktuar dëme në njerëz, transmeton albinfo.ch.

Postimi ne X

Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Evropës në këtë verë përvëluese.

Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira.