Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se vendi i tij nuk ka ndryshuar qëndrimin sa i përket Kosovës dhe vazhdon të mos e njohë atë si shtet të pavarur, transmeton albinfo.ch.
Gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd, Zelensky është pyetur në një konferencë për media lidhur me qëndrimin e Ukrainës ndaj Kosovës.
Ai ka theksuar se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe të drejtën ndërkombëtare, duke përsëritur se politika e Kievit ndaj Kosovës mbetet e njëjtë.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë. Sa i përket asaj që thatë për shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi mbetet i pandryshuar. Gjithmonë e kemi theksuar këtë dhe se politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Zelensky, sipas mediave serbe.
Në këtë kontekst, presidenti ukrainas ka falënderuar Serbinë për, siç është shprehur, “respektimin e integritetit dhe sovranitetit të saj territorial”, duke përmendur në veçanti Krimenë.
“Nuk do të ndryshojmë qëndrimin tonë në çështjen e Serbisë”, ka shtuar Zelensky./Albinfo.ch