Kosova

Vjosa Osmani mbetet propozimi i LDK-së për presidente

Lutfi Haziri konfirmon se qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka konfirmuar se Vjosa Osmani mbetet propozimi i kësaj partie për postin e presidentes së Kosovës, transmeton albinfo.ch.

I pyetur nëse ka ndryshuar qëndrimi i LDK-së lidhur me kandidaturën e Osmanit, Haziri ka thënë se deri në këto momente nuk ka pasur ndryshim në qëndrimin e partisë.

Deklarata e tij u bë në një konferencë për media, në momentet e fundit të afatit kushtetues për seancën konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Haziri ka bërë të ditur se gjatë negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje, kërkesa kryesore e LDK-së ka qenë “vetëm balancë institucionale”.

Qëndrimi i LDK-së vjen në një kohë kur partitë politike ende nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional dhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kandidatura e Vjosa Osmanit mbetet kështu një nga pikat kryesore në negociatat ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes./Albinfo.ch