Kosova

Pas skadimit të afatit kushtetues, Hamza nuk përjashton protestat

Hamza pas skadimit të afatit kushtetues: “Nuk përjashtohet as protesta”

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, është deklaruar pas skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Hamza ka bërë të ditur se PDK-ja do të përdorë të gjitha mjetet e lejuara demokratike për të reaguar ndaj situatës së krijuar politike, duke mos e përjashtuar as mundësinë e organizimit të protestave.

“Do të përdoren të gjitha mjetet e lejuara demokratike, që i bie se nuk përjashtohet as protesta”, ka deklaruar Hamza.

Kreu i PDK-së ka kritikuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke e akuzuar për mungesë serioziteti në përpjekjet për zgjidhjen e situatës politike.

“S’ka seriozitet nga Kurti. Janë për të blerë kohë dhe për t’ia faturuar fajin dikujt tjetër pse po shkojmë në zgjedhje. Nëse vendi shkon në zgjedhje, adresa është Albin Kurti dhe Vetëvendosje”, tha Hamza.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur procesi i konstituimit të institucioneve vazhdon të jetë i bllokuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për tejkalimin e ngërçit institucional.

PDK-ja, sipas Hamzës, do të shqyrtojë të gjitha veprimet politike dhe demokratike që i lejon Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në përballje me situatën e krijuar./Albinfo.ch