Lajme

Evropa përvëlohet nga temperaturat ekstreme, disa shtete thyejnë rekordet historike

Nxehtësia ekstreme thyen rekordet e temperaturave në Evropën Qendrore dhe Lindore

Evropa Qendrore dhe Lindore po përballet me një valë të paprecedentë të të nxehtit, e cila ka thyer rekorde temperaturash në disa vende dhe po shkakton zjarre, thatësira dhe probleme serioze në furnizimin me energji, transmeton albinfo.ch.

Sllovakia, Austria dhe Hungaria kanë regjistruar temperatura historike gjatë ditëve të fundit. Në Sllovaki, agjencia hidrometeorologjike njoftoi se në Dolné Plachtince u regjistruan 42 gradë Celsius, temperatura më e lartë e matur ndonjëherë në vend.

Në Poloni, temperaturat ekstreme dhe niveli kritikisht i ulët i ujit në lumin Vistula detyruan autoritetet të ndalojnë përkohësisht funksionimin e termocentraleve me qymyr Kozienice dhe Połaniec, duke nxjerrë jashtë funksionit rreth 1.3 gigavat kapacitet energjetik. Kryeministri Donald Tusk u bëri thirrje punëdhënësve të sigurojnë ujë të ftohtë dhe ambiente me ajër të kondicionuar për punonjësit.

Ndërkohë, në Gjermani, aktivistët e klimës protestuan para kancelarisë, duke kërkuar masa më të forta kundër ndryshimeve klimatike. Sipas vlerësimeve të Institutit Robert Koch, këtë verë rreth 11.900 persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme.

Në Hungari, autoritetet njoftuan rikthimin në funksion të një turbine të centralit bërthamor Paks, ndërsa u bënë thirrje qytetarëve të ulin vullnetarisht konsumin e energjisë elektrike gjatë ditëve me temperatura rekord.

Ekspertët paralajmërojnë se kriza klimatike po përkeqëson valët e të nxehtit, duke ushtruar presion të madh mbi popullsinë, infrastrukturën kritike dhe ekosistemet natyrore. Ata theksojnë se zhvillimi i energjisë së erës dhe asaj diellore është një nga mënyrat më efektive për të reduktuar varësinë nga termocentralet që kërkojnë sasi të mëdha uji për ftohje.

Temperaturat e larta dhe thatësira kanë favorizuar gjithashtu përhapjen e zjarreve në pyje. Sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje, që nga fillimi i vitit janë djegur rreth 500 mijë hektarë në vendet e Bashkimit Evropian, kryesisht në Spanjë dhe Francë, ndërsa në Ukrainë flakët kanë përfshirë edhe 292 mijë hektarë të tjerë.

Austria regjistroi një temperaturë rekord prej 41.2 gradë Celsius, ndërsa në Çeki dhe Sllovaki janë shënuar gjithashtu nivele rekord të rrezikut nga zjarret.

Sipas një analize të publikuar nga konsorciumi World Weather Attribution, ndryshimet klimatike e kanë bërë motin ekstrem të muajit të kaluar të paktën 20 herë më të mundshëm në Spanjë dhe dy herë më të mundshëm në Francë, duke konfirmuar ndikimin gjithnjë e më të madh të ngrohjes globale në fenomenet ekstreme të motit. /Albinfo.ch