Maqedonia

Maqedoni: Qeveria shqyrton mundësinë e uljes së çmimit të energjisë elektrike

Qeveria nuk ka në plan të rrisë çmimin e energjisë elektrike, ndërsa po analizon mundësinë për ta ulur atë ose për të zgjatur periudhën e aplikimit të tarifës së lirë për konsumatorët.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, bëri të ditur se, pavarësisht sfidave në sektorin energjetik, aktualisht nuk ka shqetësime për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike.

Sipas tij, rezervuarët janë të mbushur rreth 70 për qind dhe vendi disponon afërsisht 500 gigavat/orë energji të akumuluar, sasi kjo që, sipas tij, garanton furnizim të sigurt për qytetarët dhe industrinë.

Mickoski theksoi se fokusi i qeverisë nuk është rritja e tarifave, por gjetja e një zgjidhjeje që do të mundësonte uljen e çmimit të energjisë ose vazhdimin e tarifës së lirë për qytetarët.