Kosova

Mërgimtarët nisin rikthimin drejt Evropës, rriten pritjet në pikat kufitare

Fluksi i automjeteve është shtuar në daljet nga Kosova, ndërsa në Jarinjë pritjet kanë arritur deri në 120 minuta.

Me përfundimin e pushimeve verore për një pjesë të mërgatës, mijëra bashkatdhetarë kanë nisur rikthimin drejt vendeve të Evropës, duke shkaktuar fluks të shtuar të automjeteve në disa pika kufitare të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas të dhënave të fundit për gjendjen në kufi, pritjet më të gjata janë regjistruar në pikën kufitare të Jarinjës, ku qytetarët po presin deri në 120 minuta për të dalë nga Kosova.

Fluks i shtuar është raportuar edhe në pikën kufitare Dheu i Bardhë, ku pritjet për dalje arrijnë deri në 40 minuta, ndërsa në Merdarë qytetarët po përballen me pritje prej 20 deri në 30 minutash.

Ndërkohë, situata në pikat e tjera kufitare mbetet më e qetë. Në shumicën e vendkalimeve, pritjet për hyrje dhe dalje variojnë nga 3 deri në 5 minuta, ndërsa në Han të Elezit pritjet për dalje janë nga 5 deri në 10 minuta, transmeton tutje  albinfo.ch. 

Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në pikat kufitare dhe, nëse është e mundur, të shfrytëzojnë vendkalime alternative për të shmangur pritjet e gjata gjatë rikthimit drejt vendeve ku jetojnë dhe punojnë./Albinfo.ch