Shqipëria

Ambasada gjermane vlerëson ekipet shqiptare për shpëtimin e katër turistëve

Ambasada e Gjermanisë në Shqipëri ka shprehur mirënjohjen ndaj strukturave shqiptare të emergjencës për ndihmën e dhënë në shpëtimin e katër turistëve gjermanë gjatë dy operacioneve të zhvilluara në jug të vendit.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada falënderoi Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, ekipet lokale të shpëtimit, si dhe vullnetarët e Shpëtimit Alpin dhe Speleologjik për përkushtimin dhe reagimin e shpejtë gjatë ndërhyrjeve.

Sipas Ambasadës, falë profesionalizmit dhe angazhimit të ekipeve të shpëtimit, të katër shtetasit gjermanë u gjetën dhe u nxorën të sigurt nga situatat e vështira ku ndodheshin. Operacionet u zhvilluan në kushte të komplikuara, për shkak të terrenit të thyer, errësirës dhe temperaturave të larta.

Ambasada gjermane vlerësoi kurajon dhe profesionalizmin e të gjitha forcave të përfshira në këto misione dhe u bëri apel turistëve që vizitojnë zonat malore të tregojnë më shumë kujdes gjatë aktiviteteve në natyrë.

Në mesazhin e saj, Ambasada këshilloi udhëtarët që të planifikojnë me kujdes itineraret, të kontrollojnë kushtet atmosferike, të përdorin pajisje të përshtatshme, të kenë me vete ujë të mjaftueshëm dhe mjete komunikimi funksionale për raste emergjente.

Në përfundim, Ambasada e Gjermanisë u uroi të gjithë vizitorëve qëndrime të sigurta dhe përvoja të bukura gjatë eksplorimit të natyrës shqiptare.