Lajme

Gjermania i bën thirrje BE-së: Kufijtë e jashtëm duhet të mbrohen me përparësi

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka kërkuar që Bashkimi Evropian t’i japë përparësi absolute forcimit dhe mbrojtjes së kufijve të tij të jashtëm, pas fluksit të madh të emigrantëve që mbërritën në enklavën spanjolle të Ceutës nga Maroku.

Në një deklaratë për gazetën gjermane “Bild”, Wadephul tha se situata në Ceuta përbënte një sfidë të madhe për Evropën, por se ajo u menaxhua me sukses. Sipas tij, kjo ngjarje nxori në pah edhe dobësitë e sistemit evropian të kontrollit kufitar.

“Pres që Komisioni Evropian ta vendosë mbrojtjen e kufijve të jashtëm si një prioritet absolut, në mënyrë që të mos vihet më në rrezik hapësira Shengen dhe lëvizja e lirë brenda Bashkimit Evropian”, u shpreh ministri gjerman.

Wadephul theksoi se menaxhimi i emigracionit kërkon bashkëpunim të ngushtë me vendet jashtë BE-së. Ai përmendi veçanërisht rolin e Marokut, duke vlerësuar koordinimin me autoritetet spanjolle për përballimin e situatës.

Sipas të dhënave të raportuara, rreth 50 mijë deri në 60 mijë persona arritën të hynin në Ceuta nga territori maroken brenda një periudhe të shkurtër, ndërsa të paktën 67 persona humbën jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin.

Operacionet e kërkim-shpëtimit në det vijuan edhe gjatë fundjavës. Ndërkohë, autoritetet spanjolle njoftuan se pjesa më e madhe e emigrantëve janë kthyer në Marok.

Sipas medias spanjolle “El País”, shumë prej tyre vendosën të rikthehen vullnetarisht për shkak të mungesës së kushteve bazë, strehimit dhe pamundësisë për të vazhduar udhëtimin drejt pjesëve të tjera të Evropës.