Lajme

Për herë të parë në Bazel: Policia pranon në radhët e saj oficerë pa pasaportë zvicerane

Katër shtetas gjermanë me leje qëndrimi B do të fillojnë trajnimin policor këtë vjeshtë. Vendimi i kantonit të Bazelit hap një debat të ri në Zvicër për kushtin e shtetësisë për policët.

Në kantonin Basel-Stadt, për herë të parë, persona pa pasaportë zvicerane dhe pa leje qëndrimi të përhershme do të trajnohen për t’u bërë pjesë e policisë kantonale. Katër shtetas gjermanë, dy burra dhe dy gra, të pajisur vetëm me leje qëndrimi B, do të nisin këtë vjeshtë shkollimin në Akademinë Ndërkantonale të Policisë në Hitzkirch.

Deri tani, në Bazel ishte e zakonshme që jo të gjithë policët të kishin shtetësi zvicerane, por ata duhej të paktën të posedonin leje qëndrimi të përhershme C. Me vendimin e ri, kantoni po shkon një hap më tej dhe bëhet i pari në Zvicër që lejon policë me vetëm leje qëndrimi B të dalin në patrullim.

Mungesa e stafit shtyn ndryshimin

Shoqata e Policisë së Bazelit e mirëpret këtë hap. Harald Zsedényi, përfaqësues i saj, thotë se njerëzit e aftë mund të punësohen edhe nëse kanë leje qëndrimi B.

“Për ne nuk ka rëndësi nëse dikush vjen nga një kanton tjetër zviceran apo nga Gjermania fqinje”, është shprehur ai.

Policia e Bazelit po përballet me mungesë të stafit dhe shpreson që përfshirja e kandidatëve me leje qëndrimi B të zgjerojë mundësinë e rekrutimit.

Kandidatët duhet ta njohin mirë Bazelin

Sipas zëdhënësit të policisë, Adrian Plachesi, kandidatët e huaj duhet të kenë lidhje të forta me rajonin. Ata duhet të jenë rritur në një zonë kufitare ose të jenë integruar mirë në jetën e Bazelit.

Policia thotë se tashmë ka përvoja pozitive me rreth 30 deri në 40 punonjës që kanë leje qëndrimi C. Shumica prej tyre janë rritur në Bazel ose kanë jetuar aty për një kohë të gjatë dhe, sipas policisë, nuk kanë krijuar probleme në punën e përditshme.

Shoqata kombëtare e policëve kundërshton

Qëndrim tjetër ka Shoqata Zvicerane e Policëve. Ajo mban ende parimin se “polic zviceran do të thotë qytetar zviceran”.

Sipas kësaj shoqate, krahu i armatosur i shtetit duhet të përfaqësohet nga shtetas zviceranë. Personat me leje qëndrimi të përhershme C mund të pranohen në shkollimin policor, por në momentin e betimit duhet të kenë pasaportë zvicerane.

Megjithatë, policia e Bazelit nuk e sheh këtë si pengesë. Zsedényi thotë se kantoni ka një realitet tjetër, pasi nuk po arrin të tërheqë mjaftueshëm kandidatë zviceranë për vendet e lira.

Katër gjermanët nuk e zgjidhin mungesën e madhe të policëve

Edhe pse vendimi shihet si një hap i rëndësishëm, katër policët e rinj nuk do ta zgjidhin mungesën e stafit. Policia kantonale e Bazelit, e cila ka rreth 1 mijë punonjës, vazhdon të ketë afërsisht 100 vende të lira pune.

Vendimi i Bazelit pritet të nxisë debat edhe në kantonet e tjera zvicerane, ku ende kërkohet që policët të kenë shtetësi zvicerane/albinfo.ch/