Lajme

Deputeti në Gjenevë propozon kufizimin e qarkullimit të makinave gjatë valëve të të nxehtit

Sipas propozimit, automjetet do të lejohen të qarkullojnë sipas numrit çift ose tek të targës, për të ulur temperaturat dhe ndotjen.

Një deputet në Parlamentin kantonal të Gjenevës ka propozuar një masë të pazakontë për përballimin e valëve të të nxehtit: kufizimin e qarkullimit të automjeteve sipas numrit të targës, përcjell albinfo.ch.

Julien Nicolet-dit-Félix ka paraqitur një mocion që parashikon që automjetet me targa me numër çift të lejohen të qarkullojnë vetëm në ditët çift, ndërsa ato me numër tek vetëm në ditët tek.

Sipas tij, përgjysmimi i trafikut gjatë periudhave me temperatura ekstreme do të ndihmonte në uljen e temperaturës së ambientit dhe do të përmirësonte cilësinë e ajrit për banorët.

Megjithatë, propozimi ende nuk është shqyrtuar në Parlamentin kantonal. Ai ka hasur menjëherë në kundërshtime, ku deputeti Murat Julian Alder e ka cilësuar idenë si “absurde”.

Nëse miratohet, Gjeneva do të ishte ndër rajonet e para në Zvicër që do të aplikonte kufizime të tilla të trafikut gjatë valëve të të nxehtit. /Albinfo.ch