Skip to content

Pushimet vjetore në Zvicër mund të rriten në pesë javë

Një propozim në Parlament synon të rrisë minimumin ligjor të pushimeve të paguara për të gjithë punonjësit

Një iniciativë e re në Parlamentin zviceran mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm për punëmarrësit në vend. Një mocion i paraqitur në Këshillin Kombëtar propozon që minimumi ligjor i pushimeve vjetore të paguara të rritet nga katër në pesë javë për të gjithë punonjësit.

Mbështetësit e propozimit argumentojnë se kjo masë do të përmirësonte kushtet e punës, veçanërisht për punonjësit në sektorët me paga më të ulëta, si bujqësia, duke i afruar ata me standardet që tashmë zbatohen në shumë industri të tjera. Sipas tyre, rritja e pushimeve është një çështje e drejtësisë sociale dhe e mirëqenies së punonjësve, transmeton albinfo.ch.

Nga ana tjetër, organizatat e punëdhënësve e kundërshtojnë nismën, duke paralajmëruar se një javë shtesë pushimi e paguar do të rriste kostot e punës me rreth 2% në vit dhe mund të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e ekonomisë zvicerane.

Aktualisht, ligji zviceran garanton minimum katër javë pushim të paguar në vit për punonjësit e rritur dhe pesë javë për personat nën moshën 20-vjeçare, megjithëse shumë kompani ofrojnë kushte më të favorshme në kontratat e tyre.

Mocioni do të shqyrtohet në debatin parlamentar, ku deputetët do të vendosin nëse propozimi do të ecë përpara në procesin legjislativ.