Lajme

Konfirmohet ndalimi i shitjes së cigareve elektronike njëpërdorimshe në Valais

Gjykata Federale e Zvicrës ka lënë në fuqi ndalimin e shitjes së cigareve elektronike njëpërdorimshe në kantonin e Valais, duke hedhur poshtë ankesat e industrisë së duhanit dhe bizneseve që kundërshtuan vendimin.

Sipas gjykatës, ndalimi është në përputhje me ligjin federal dhe nuk cenon lirinë ekonomike, pasi synon mbrojtjen e interesit publik, veçanërisht shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin.

Ligji, i miratuar nga Parlamenti i Valaisit në vitin 2024, hyri në fuqi në maj të vitit 2025. Pas përfundimit të periudhës kalimtare më 1 nëntor, shitja e cigareve elektronike njëpërdorimshe është ndaluar dhe shkelësit mund të përballen me sanksione penale.

Vendimi i Gjykatës Federale konsiderohet një fitore për autoritetet e Valaisit dhe mund të shërbejë si precedent për kantonet e tjera zvicerane që synojnë të ndalojnë shitjen e këtyre produkteve. Ndërkohë, një nismë për ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimshe në të gjithë Zvicrën është miratuar nga parlamenti federal, por ende pret zbatimin nga Këshilli Federal.