Lajme

Zvicra ndalon uljen e 154 kompanive ajrore, përditësohet lista e zezë

Bashkimi Evropian, me vendim që zbatohet edhe nga Zvicra, ka përditësuar listën e zezë të sigurisë ajrore (EU Air Safety List), duke ndaluar uljen dhe ngritjen e disa kompanive ajrore që nuk përmbushin standardet ndërkombëtare të sigurisë.

Së fundmi, në këtë listë është përfshirë kompania algjeriane Air Express Algeria, për shkak të shqetësimeve serioze lidhur me sigurinë e fluturimeve.

Air Express Algeria, e themeluar në vitin 2002, operon fluturime çarter, transport pasagjerësh, evakuime mjekësore dhe fluturime VIP. Autoritetet evropiane kanë konstatuar mangësi të rënda në standardet e saj të sigurisë, duke i ndaluar operimet në aeroportet e Bashkimit Evropian dhe të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Aktualisht, në listën e zezë të BE-së figurojnë 154 kompani ajrore dhe 16 autoritete kombëtare të aviacionit civil.

Mes kompanive që kanë ndalim të plotë për të operuar në hapësirën ajrore evropiane janë:

Air Express Algeria (Algjeri)

Air Zimbabwe (Zimbabve)

Avior Airlines (Venezuelë)

Iran Aseman Airlines (Iran)

Fly Baghdad (Irak)

Iraqi Airways (Irak)

Përveç tyre, ndalim i përgjithshëm vlen për të gjitha kompanitë ajrore nga Afganistani, Rusia, Libia, Nepali, Sudani, Tanzania, Surinami dhe Eritrea, si edhe për shumicën e operatorëve nga Angola, Armenia dhe të dy shtetet e Kongos.

Zvicra zbaton plotësisht listën e sigurisë të Bashkimit Evropian, por autoriteti zviceran i aviacionit civil kryen edhe kontrolle të pavarura dhe inspektime të rastësishme ndaj kompanive të huaja që operojnë në vend.

Megjithatë, lista nuk është përfundimtare. Ajo rishikohet vazhdimisht dhe kompanitë ajrore mund të hiqen nga lista e zezë nëse dëshmojnë se kanë përmbushur standardet ndërkombëtare të sigurisë.

Një shembull i fundit është Kirgistani, kompanitë ajrore të të cilit janë lejuar sërish të fluturojnë drejt Evropës pas një ndalimi 20-vjeçar. Bashkimi Evropian e justifikoi këtë vendim me përmirësimet e dukshme në mbikëqyrjen shtetërore të aviacionit civil.