Botërori 2026

Zvicra përfiton 19 milionë dollarë nga Botërori

Pjesëmarrja e suksesshme e Zvicrës në Kupën e Botës 2026 ka sjellë jo vetëm rezultate historike në aspektin sportiv, por edhe përfitime të konsiderueshme financiare. Federata Zvicerane e Futbollit do të marrë rreth 19 milionë dollarë nga FIFA.

Kombëtarja zvicerane e futbollit e mbylli Botërorin 2026 me një rezultat historik, duke arritur deri në çerekfinale, ku u eliminua nga Argjentina. Megjithatë, përveç suksesit sportiv, aventura në turneun më të madh të FIFA-s ka qenë edhe financiarisht e leverdishme.

FIFA ka njoftuar shpërndarjen e rreth 870 milionë dollarëve shpërblime për ekipet dhe federatat pjesëmarrëse në këtë Kupë Bote. Nga kjo shumë, Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) do të përfitojë rreth 19 milionë dollarë, afërsisht 15 milionë franga zvicerane.

Goli vendimtar i Ruben Vargasit nga pika e bardhë e penalltisë në ndeshjen e 1/8 së finales kundër Kolumbisë rezultoi të ishte me vlerë të jashtëzakonshme. Kualifikimi në çerekfinale i siguroi Zvicrës një shpërblim prej 19 milionë dollarësh. Nëse skuadra do të kishte arritur në gjysmëfinale, shpërblimi do të ishte rritur edhe me 10 milionë dollarë të tjera.

Fitimi neto pritet të jetë disa milionë franga

Pavarësisht të ardhurave të larta, Federata Zvicerane e Futbollit thekson se edhe shpenzimet kanë qenë dukshëm më të mëdha.

“Është e qartë se kemi krijuar të ardhura më të larta. Por kemi pasur edhe shpenzime shumë më të mëdha, prandaj në fund rezultati neto pritet të jetë afërsisht i njëjtë me atë pas Botërorit në Katar”, ka deklaruar presidenti i SFV-së, Peter Knäbel.

Sipas tij, pas përfundimit të Botërorit, rreth 3 milionë franga zvicerane pritet të mbeten si të ardhura për federatën.

Kalimi i fazës së grupeve është bërë domosdoshmëri financiare

Ekspertët vlerësojnë se për federatat e futbollit, kalimi i fazës së grupeve në një Botëror tashmë nuk është vetëm çështje sportive, por edhe financiare.

Florian Hohmann, pedagog i menaxhimit financiar në Universitetin e St. Gallenit, thekson se eliminimi që në fazën e grupeve do të kishte krijuar një barrë të madhe financiare për futbollin zviceran.

“Paratë që marrim tashmë janë të planifikuara për futbollin profesionist dhe atë amator”, ka thënë Hohmann.

FIFA shpërndan 870 milionë dollarë shpërblime

Në total, FIFA do të shpërndajë rreth 870 milionë dollarë për ekipet pjesëmarrëse në Botërorin 2026.

Shpërblimet sipas fazave janë:

Kualifikimi në turne: 9 milionë dollarë

Kalimi në fazën e 1/8 së finales: 11 milionë dollarë

Arritja në çerekfinale: 19 milionë dollarë

Arritja në gjysmëfinale: rreth 28 milionë dollarë

Kampioni i Botërorit: 50 milionë dollarë

Megjithatë, sipas Hohmann, FIFA ende shpërndan një pjesë relativisht të vogël të të ardhurave të saj te federatat kombëtare.

“Fillimisht FIFA kishte planifikuar të paguante më pak, por federatat reaguan dhe kërkuan rritje të shpërblimeve. Edhe pas rritjes, kjo shumë mbetet relativisht e vogël”, ka deklaruar ai.

Sipas llogaritjeve të ekspertit, nga të ardhurat totale të FIFA-s për ciklin e Botërorit, vetëm rreth 6.5 për qind do të shpërndahet te federatat pjesëmarrëse.