Bota

Evropa rritet, pavarësisht se ka më shumë vdekje se lindje

Pas saj renditen Irlanda me 45.9%, Qipro me 44.3% dhe Islanda me 41.3%. Andorra ka shënuar rritje prej 35%, Azerbajxhani 28%, Zvicra 27.4%, Lihtenshtajni 27.1% dhe Norvegjia 25.7%

Ndërsa Shqipëria dhe shumica e vendeve të Evropës Lindore po humbin popullsi, Bashkimi Evropian vijon ta rrisë numrin e banorëve.

Më 1 janar 2026, popullsia e BE-së arriti në 452 milionë banorë, rreth 706 mijë më shumë se një vit më parë. Ky ishte viti i pestë radhazi me rritje, pas rënies së regjistruar gjatë pandemisë në vitin 2021, raportoi Eurostat.

Në krahasim me vitin 2016, Bashkimi Evropian kishte 8 milionë banorë më shumë, ndërsa ndaj vitit 2006 rritja ishte 16 milionë.

Por shtesa e popullsisë nuk po vjen nga lindjet. Që prej vitit 2012, BE-ja ka regjistruar më shumë vdekje se lindje. Bilanci negativ natyror është kompensuar nga emigracioni neto pozitiv, raporton Monitor, transmeton albinfo.ch.

Kjo do të thotë se pa hyrjen e emigrantëve, popullsia e Bashkimit Evropian do të ishte në rënie.

Gjatë vitit 2025, popullsia u rrit në 16 vende të BE-së. Normat më të larta të shtimit u regjistruan në Maltë, me 24.1 persona për 1,000 banorë, Qipro me 13.7 dhe Luksemburg me 13.1. Rëniet më të forta u shënuan në Letoni, Estoni dhe Hungari.

Malta dhe Irlanda, rritja më e fortë që nga viti 2000

Në krahasimin afatgjatë, Malta e ka rritur popullsinë me 51.3% nga viti 2000, norma më e lartë në Evropë.

Pas saj renditen Irlanda me 45.9%, Qipro me 44.3% dhe Islanda me 41.3%. Andorra ka shënuar rritje prej 35%, Azerbajxhani 28%, Zvicra 27.4%, Lihtenshtajni 27.1% dhe Norvegjia 25.7%.

Spanja e ka rritur popullsinë me 22.5%, Suedia me 19.7% dhe Mbretëria e Bashkuar me 19.3%. Rritje të konsiderueshme kanë regjistruar edhe Belgjika me 16.8%, Austria me 15.2%, Holanda me 14.3% dhe Franca me 14.2%.

Këto vende përballen gjithashtu me lindshmëri të ulët dhe plakje, por kanë arritur ta zbusin humbjen natyrore duke tërhequr emigrantë.

Ekonomitë më të zhvilluara ofrojnë paga më të larta, vende pune, shërbime publike dhe stabilitet institucional. Kjo i ka kthyer ato në destinacione për fuqinë punëtore nga Ballkani, Evropa Lindore dhe vende të tjera.

Emigracioni po krijon dy realitete të ndryshme demografike në Evropë. Vendet pritëse po rrisin popullsinë dhe po plotësojnë nevojat e tregut të punës, ndërsa vendet e origjinës po humbin të rinj, profesionistë dhe familje në moshe aktive.