Botërori 2026
Mediumi argjentinas: Granit Xhaka është simbol i historisë, identitetit dhe lidershipit të Zvicrës
Në prag të çerekfinales me Argjentinën, Canal26 i kushton një profil të veçantë kapitenit shqiptar, duke rrëfyer historinë e familjes së tij dhe rrënjët nga Kosova
Kualifikimi historik i Zvicrës në çerekfinalet e Kupës së Botës ka rikthyer në qendër të vëmendjes kapitenin Granit Xhaka. Në prag të përballjes me Argjentinën, mediumi argjentinas Canal26 i ka kushtuar një artikull të veçantë mesfushorit shqiptar, duke e përshkruar si një figurë që shkon përtej futbollit, përcjell albinfo.ch.
Sipas mediumit, Granit Xhaka nuk është vetëm lideri i kombëtares zvicerane dhe një nga mesfushorët më të mirë në Evropë, por edhe simbol i një historie familjare të shënuar nga mërgimi, përndjekja politike dhe lidhja e pandërprerë me Kosovën.
Artikulli ndalet te historia e babait të tij, Ragip Xhaka, i cili mori pjesë në demonstratat studentore kundër regjimit jugosllav dhe më pas u arrestua e u dënua me burg. Canal26 shkruan se vitet e kaluara në burg dhe vuajtjet e familjes kanë ndikuar në formësimin e karakterit të Granit Xhakës.
Sipas artikullit, pikërisht kjo histori shpjegon vendosmërinë, disiplinën dhe aftësinë e tij për të udhëhequr skuadrën në momentet më të vështira.
Mediumi argjentinas kujton gjithashtu se Graniti lindi në Basel të Zvicrës, ku prindërit e tij, Ragipi dhe Elmaze Xhaka, ndërtuan një jetë të re pas largimit nga Kosova. Sakrificat e tyre, thuhet në artikull, i dhanë atij dhe vëllait të tij, Taulant Xhakës, mundësinë për të ndjekur ëndrrën në futboll.
Canal26 i kushton vëmendje edhe rivalitetit mes Zvicrës dhe Serbisë, duke theksuar se për futbollistët me prejardhje nga Kosova, si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, këto ndeshje mbartin një ngarkesë të veçantë historike dhe emocionale.
Në këtë kontekst rikujtohet edhe Botërori i vitit 2018, kur Xhaka shënoi ndaj Serbisë dhe festoi golin me simbolin e shqiponjës dykrenare, një moment që u bë një nga imazhet më të njohura të atij turneu.
Sipas Canal26, për shumë shqiptarë ky gjest përfaqësonte krenarinë dhe identitetin kombëtar, ndërsa për opinionin serb u interpretua si provokim. Mediumi thekson se shqiponja dykrenare tejkalon futbollin dhe mbetet simbol i kujtesës, qëndresës dhe identitetit të diasporës shqiptare.
Në fund të artikullit, vëmendja kthehet te çerekfinalja mes Zvicrës dhe Argjentinës, me autorët që vlerësojnë se për Xhakën kjo është një tjetër mundësi për të dëshmuar cilësitë e tij si lider në një nga sfidat më të mëdha të karrierës.
“Granit Xhaka është shumë më tepër sesa kapiteni i Zvicrës. Ai është djali i prindërve të mërguar nga Kosova, trashëgimtari i një historie familjare të dhimbshme dhe një nga figurat më të rëndësishme të një kombëtareje multikulturore që i ka shndërruar rrënjët e saj në identitet futbollistik”, përfundon artikulli i Canal26./Albinfo.ch
E-Diaspora
-
Shqiptarja e parë nga Kosova diplomon në MIT, një nga universitetet më prestigjioze në botë E reja nga Kosova përfundoi studimet Master në Inxhinieri Elektrike dhe Shkenca Kompjuterike në Massachusetts Institute... -
Nis shpërndarja e librave shqip në 15 shtete të diasporës -
Nga Zvicra me vepra për vendlindjen: Arben Lahu vazhdon aksionin vullnetar në Gollak -
Program falas në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Cyrih -
Donacion për spitalet në Maqedoninë e Veriut, nga mërgata shqiptare e Cyrihut
Jeta në Austri
-
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas Qeveria austriake i ka dërguar parlamentit një rregullore të re mbi ndihmat familjare për personat e... -
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena














