Botërori 2026

Franca dhe Maroku përballen sonte në çerekfinalen e parë të Botërorit

Katër vjet pas gjysmëfinales së Katarit, dy kombëtaret rikthehen për një duel që premton spektakël dhe një vend në mesin e katër më të mirave

Franca dhe Maroku do të zbresin sonte në fushë për çerekfinalen e parë të Kupës së Botës 2026. Takimi do të zhvillohet në Boston, duke nisur nga ora 22:00, ndërsa fituesi do të sigurojë biletën për në gjysmëfinale, përcjell albinfo.ch.

Përballja rikthen kujtimet e gjysmëfinales së Botërorit 2022 në Katar, ku Franca triumfoi me rezultat 2:0 dhe siguroi kalimin në finalen e turneut. Katër vjet më vonë, Maroku synon të hakmerret për atë eliminim, ndërsa francezët kërkojnë të vazhdojnë rrugëtimin drejt një tjetër trofeu botëror.

Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës, falë përvojës së lojtarëve dhe cilësisë së lartë që posedon në të gjitha repartet e fushës.

Në anën tjetër, Maroku ka konfirmuar edhe në këtë edicion se mbetet një kundërshtar i fortë dhe konkurrues. Skuadra afrikane është dalluar për organizimin e shkëlqyer në mbrojtje, disiplinën taktike dhe aftësinë për të rivalizuar me kombëtaret më të mëdha.

Fituesi i këtij dueli do të bëhet gjysmëfinalisti i parë i Kupës së Botës 2026, duke hedhur një tjetër hap drejt ëndrrës për të ngritur trofeun më prestigjioz të futbollit botëror./Albinfo.ch