Shqipëria është përzgjedhur zyrtarisht si vendi mikpritës i Samitit të ardhshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO). Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një konferencë për mediet në përfundim të punimeve të samitit të sivjetmë që po zhvillohet në Ankara të Turqisë.
Ky vendim është vlerësuar si një arritje historike nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po merr pjesë në punimet e samitit ku krerët e shteteve anëtare po diskutojnë mbi sfidat aktuale të sigurisë globale dhe prioritetet strategjike.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku publikoi edhe një fotografi me kreun e NATO-s, Mark Rutte, kryeministri Rama e cilësoi këtë vendim si një moment të jashtëzakonshëm krenarie për vendin, duke theksuar se ky objektiv vjen pas një angazhimi të gjatë diplomatik, transmeton albinfo.ch.
”Ai momenti i krenarisë kur të bëhet zemra mal, pasi kalojnë vite me shumë punë e durim të madh dhe vjen dita kur e paimagjinueshmja bëhet e mundur, e i thua Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s: Shihemi në Shqipëri për samitin e ardhshëm”, u shpreh Rama.