Botërori 2026

Seminari sekret i Zvicrës për penalltitë dha rezultat në Botëror

Penalltitë nuk ishin rastësi, Zvicra kishte zhvilluar trajnim të veçantë para Botërorit

Për vite me radhë, penalltitë ishin një makth për Kombëtaren e Zvicrës. Eliminimet ndaj Polonisë, Spanjës dhe Anglisë lanë gjurmë, pavarësisht suksesit të madh ndaj Francës në “Euro 2020”, transmeton albinfo.ch.

Por këtë herë, në Botërorin 2026, gjithçka ndryshoi.

Në ndeshjen e së martës ndaj Kolumbisë, Zvicra triumfoi pas gjuajtjeve të penalltive dhe siguroi një vend në çerekfinale të Kupës së Botës për herë të parë që nga viti 1954.

Sipas mediumit zviceran 20 Minuten, ky sukses nuk ishte aspak rastësi. Para nisjes së Botërorit, trajneri Murat Yakin kishte organizuar një seminar të posaçëm për përgatitjen psikologjike dhe taktike të futbollistëve për skenarët e penalltive.

Një nga elementet më të veçanta të këtij seminari ishte që çdo lojtar që shkonte për të ekzekutuar penalltinë shoqërohej nga një bashkëlojtar deri te pika e bardhë.

Qëllimi ishte i qartë: të shmangej çdo shpërqendrim nga kundërshtarët, të cilët shpesh përpiqen të ndikojnë psikologjikisht te gjuajtësi përpara ekzekutimit.

“Shoqërimi i gjuajtësit ishte pjesë e seminarit. Ai që gjuan duhet të jetë i qetë dhe të ruajë fokusin”, deklaroi përzgjedhësi Murat Yakin pas ndeshjes.

Ai theksoi se përgatitja për çdo detaj ishte vendimtare.

“Nuk do të ishim këtu dhe nuk do të largoheshim nga fusha si fitues nëse nuk do t’i kishim trajtuar të gjitha këto çështje”, u shpreh Yakin.

Strategjia u vu në praktikë që në penalltinë e parë. Kur kapiteni Granit Xhaka u afrua për ta ekzekutuar, portieri kolumbian Camilo Vargas dhe mbrojtësi Yerry Mina u përpoqën ta shpërqendronin. Pranë tij ishte Manuel Akanji, i cili e shoqëroi deri te pika e bardhë, ashtu siç ishte planifikuar gjatë seminarit. Xhaka realizoi me sukses, edhe pse portieri preku topin.

Edhe Akanji pranoi rëndësinë e kësaj përgatitjeje.

“Ishte vërtet shumë e rëndësishme. Trajneri i portierëve, Patrick Foletti, na bëri një prezantim të shkëlqyer që na ndihmoi të gjithëve. Të gjithëve, përveç meje, pasi unë humba penalltinë time”, tha mbrojtësi zviceran.

Yakin nuk zbuloi të gjitha detajet e seminarit, por konfirmoi se futbollistëve u ishin prezantuar disa teknika konkrete për situata të tilla.

Nëse pikërisht kjo metodë ishte faktori vendimtar në triumfin ndaj Kolumbisë mbetet e pamundur të provohet. Megjithatë, për Murat Yakinin dhe Kombëtaren e Zvicrës nuk ka dilemë: përgatitja e detajuar dhe kontrolli psikologjik ishin çelësi që i hapi rrugën drejt çerekfinales së Botërorit. /Albinfo.ch