Botërori 2026

Temperaturat rekord rrezikojnë festimet e Kupës së Botës dhe festën kombëtare amerikane

Festimet historike dhe ndeshjet e futbollit në SHBA po rrezikojnë të shndërrohen në një sfidë të vërtetë për shkak të një vale ekstreme të të nxehtit. Metropolet amerikane po përgatiten për kushte të rënda atmosferike.

SHBA-ja po përballet me një fundjavë historike: më 4 korrik do të shënohet 250-vjetori i Deklaratës së Pavarësisë, ndërsa njëkohësisht po zhvillohen edhe ndeshje të Kupës së Botës. Megjithatë, sipas parashikimeve, një valë e fortë të nxehti me temperatura që në disa vende pritet të kalojnë 40°C do të godasë Nju Jorkun, Bostonin dhe Filadelfian.

Sipas shërbimeve meteorologjike amerikane, nga e enjtja temperaturat në Bregun Lindor dhe në zonat e brendshme do të arrijnë deri në 38°C. Lagështia e lartë ekstreme do ta rrisë edhe më shumë ndjesinë e të nxehtit, duke krijuar kushte të rrezikshme për shëndetin. Autoritetet po paralajmërojnë për kombinimin e rrezikshëm të nxehtësisë dhe lagështisë në lindje dhe qendër të vendit.

Fenomeni i “kupolës së nxehtësisë”

Kjo situatë meteorologjike është shkaktuar nga i ashtuquajturi “heat dome” (kupola e nxehtësisë), një sistem i qëndrueshëm me presion të lartë që bllokon masat e nxehta të ajrit mbi një rajon dhe pengon largimin e tyre – njësoj si një kapak mbi një tenxhere që vlon.

Si pasojë, në shumë qytete janë anuluar ose shtyrë në momentin e fundit parada dhe festivale të planifikuara. Në Filadelfia, autoritetet e kanë shkurtuar një paradë dhe kanë anuluar plotësisht një festival në rrugë. Në gatishmëri të lartë janë edhe provincat kanadeze Ontario dhe Quebec.

Presion edhe mbi ndeshjet e Kupës së Botës

Edhe ngjarje të tjera të mëdha në Bregun Lindor pritet të preken nga i nxehti. Ndeshjet e Kupës së Botës të FIFA-s po mbledhin miliona tifozë në ambiente të hapura, por kushtet ekstreme pritet të jenë një sfidë serioze si për lojtarët ashtu edhe për spektatorët.

Paraguaji do të përballet me Francën në ndeshjen e fazës së 1/8-ve të shtunën në Filadelfia.

Paralajmërime në Nju Jork

Në qytetin e Nju Jorkut, kryetari i bashkisë Zohran Mamdani ka paralajmëruar për “nxehtësi që rrezikon jetën”. Temperatura pritet të arrijë rreth 40°C (104°F). Statistikat tregojnë rrezikun serioz: vetëm në qershorin e kaluar, 19 persona humbën jetën në qytet si pasojë e të nxehtit ekstrem.

Për të përballuar situatën, administrata e qytetit ka hapur biblioteka dhe ndërtesa publike si qendra freskimi. Gjithashtu janë vendosur ventilatorë me mjegull dhe stacione ftohjeje për punëtorët në ambient të hapur. Zjarrfikësit planifikojnë gjithashtu instalimin e pajisjeve në hidrantë për të kthyer disa rrugë në “burime freskimi”.

Sipas parashikimeve, temperaturat pritet të ulen lehtë të dielën. Në atë ditë, Brazili dhe Norvegjia do të përballen pranë Nju Jorkut, me temperatura të parashikuara rreth 33°C.