Lajme

Nëse miratohet iniciativa “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë”, kur do të hyjë në fuqi?

Sipas tekstit të iniciativës, nëse popullsia kalon 9.5 milionë banorë para vitit 2050, autoritetet federale do të detyrohen të ndërmarrin masa, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar

Më 14 qershor 2026, qytetarët zviceranë do të votojnë për iniciativën “Jo për Zvicrën me 10 milionë banorë”, e cila synon të kufizojë popullsinë e përhershme nën 10 milionë deri në vitin 2050.

Nëse iniciativa miratohet, ndryshimi kushtetues nuk do të hyjë në fuqi menjëherë. Fillimisht duhet të publikohet rezultati zyrtar dhe më pas Këshilli Federal do të përcaktojë datën e hyrjes në fuqi të dispozitave kushtetuese. Zakonisht kjo ndodh disa muaj pas votimit, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, masat konkrete për kufizimin e popullsisë dhe emigracionit do të kërkonin ligje të reja dhe negociata të mundshme me Bashkimin Evropian. Sipas tekstit të iniciativës, nëse popullsia kalon 9.5 milionë banorë para vitit 2050, autoritetet federale do të detyrohen të ndërmarrin masa, veçanërisht në fushën e azilit dhe bashkimit familjar.

Një element kyç i iniciativës është se, nëse kufizimi i popullsisë nuk mund të arrihet me masa të tjera, Zvicra do të duhet të rishikojë ose madje të ndërpresë marrëveshjen për lëvizjen e lirë të personave me Bashkimin Evropian. Kjo mund të kërkojë vite negociatash dhe periudha tranzitore.