Lajme
Valët e të nxehtit po bëhen sfidë serioze për qytetet zvicerane
Ekspertët paralajmërojnë se temperaturat ekstreme do të shtohen, ndërsa qytetet po kërkojnë zgjidhje për t’u përballur me vapën
Vera ka mbërritur dhe bashkë me të po rriten edhe temperaturat. Sidomos në qytete, nxehtësia bëhet shpejt e rëndë dhe mbytëse, ndërsa temperaturat janë shpesh dukshëm më të larta sesa në zonat përreth, përcjell albinfo.ch.
Sipas redaktorit të shkencës në SRF, Christian von Burg, materialet si betoni, xhami dhe metali ruajnë nxehtësinë, ndërsa sipërfaqet e asfaltuara nxehen shumë shpejt. Ky fenomen është i njohur prej kohësh, por ndryshimet klimatike po e përkeqësojnë edhe më shumë situatën. Për këtë arsye, edhe qytetet zvicerane po përballen me nevojën për masa konkrete.
Një nga konceptet kryesore që po përdoret është ai i “qytetit sfungjer”. Ideja është që toka nën qytet të funksionojë si një sfungjer që thith ujin e shiut dhe e lëshon atë gradualisht kur temperaturat rriten. Lagështia e tokës avullon, ndërsa pemët, shkurret dhe bari kontribuojnë në freskimin e ambientit.
Për ta bërë këtë sistem funksional, qytetet duhet të krijojnë më shumë sipërfaqe ku uji mund të depërtojë në tokë, të mbjellin më shumë pemë dhe të gjelbërojnë çatitë dhe fasadat e ndërtesave. Sipas ekspertëve, vendet fqinje kanë avancuar më shumë në këtë drejtim, por edhe qytetet zvicerane po shtojnë projektet e tyre.
Përveç gjelbërimit, ekspertët rekomandojnë krijimin e korridoreve që mundësojnë qarkullimin e ajrit në qytet, si dhe hapësira të freskëta për periudhat e vapës ekstreme. Gjithashtu kërkohen plane të posaçme për shtëpitë e të moshuarve dhe spitalet.
Studimet tregojnë se hijet e pemëve kanë efekt shumë të madh në uljen e temperaturave. Po ashtu, sipërfaqet me ujë, gjelbërimi i çative dhe fasadave, si dhe sistemet për depërtimin e ujit në tokë sjellin përfitime jo vetëm për klimën urbane, por edhe për natyrën dhe sistemet e kanalizimit.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të priten mrekulli. Nëse temperatura në Bazel arrin 33 gradë Celsius, qyteti nuk mund të ftohet në 28 gradë vetëm me pemë dhe gjelbërim. Qëllimi kryesor është të parandalohet nxehja edhe më e madhe e qyteteve dhe të mundësohet freskimi gjatë natës.
Sipas shkencëtarëve të klimës, temperaturat ekstreme pritet të rriten edhe më shumë në të ardhmen. Rekordet aktuale të vapës në Zvicër arrijnë deri në 39.7 gradë në Gjenevë dhe 36.5 gradë në Cyrih. Por studiuesit e ETH Zurich paralajmërojnë se, me rritjen globale të temperaturës prej 1.5 gradësh, qytetet zvicerane mund të përballen me temperatura deri në 43 gradë Celsius.
Ekspertët theksojnë se valët e të nxehtit që janë përjetuar vitet e fundit tashmë po bëhen “normaliteti i ri”, duke u shfaqur jo vetëm në kulmin e verës, por edhe në muajt maj dhe shtator. /Albinfo.ch
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kumbaro u bën thirrje prindërve në diasporë: Regjistroni fëmijët në shkollat shqipe Ministrja shqiptare Mirela Kumbaro Furxhi u ka bërë thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit që... -
Zvicër–Kosovë, tregtia arrin 175 milionë franga: Marrëveshja e re heq barrierat doganore -
Kosovë–EFTA: Marrëveshja e Tregtisë së Lirë hyn në fuqi më 1 tetor -
Qarkullim i qetë në kufijtë e Kosovës, pritje deri në 20 minuta në Dheu i Bardhë -
Albanian Engineering of Switzerland: Tre të nominuar për Çmimin e Ekselencës Akademike 2026
Jeta në Austri
-
Çdo i dyti nxënës në shkollat vjeneze nuk flet gjermanisht Në Vjenë, nevoja për mbështetje në gjuhën gjermane është e lartë. Në të gjithë Austrinë, kjo... -
Austri: Bëhet thirrje për shkurtim prej disa miliardë eurosh në buxhetin e BE-së -
Austria e Poshtme do të mbyllë tre qendra të tjera azili -
Vjenë
Gurët e Adriatikut bëhen art: Luan Bajraktari me ekspozitën “Beneath the Tongue, a Pebble” në Kroaci -
Sa orë punohet në Zvicër dhe Evropë?












