Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë ka deklaruar se është jetike që Serbia të mos ndërhyjë në procesin zgjedhor në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të parakohshme që do të mbahen më 7 qershor, përcjell albinfo.ch.
Reagimi i ambasadës vjen pas thirrjeve të Beogradit drejtuar serbëve të Kosovës për të votuar për Listën Serbe, si dhe pas raportimeve se disa zyrtarë serbë janë shkarkuar nga institucionet që udhëhiqen nga kjo parti.
Zëdhënësi i Ambasadës së Gjermanisë, Payam Ghalehdar, ka thënë për RTV21 se është thelbësore që procesi demokratik të zhvillohet pa presion dhe ndërhyrje.
“Është thelbësore të mos ndërhyhet në procesin e formimit të vullnetit qytetar,” ka deklaruar Ghalehdar.
Ai ka shtuar se zgjedhjet paraqesin një mundësi për të gjithë qytetarët e Kosovës që të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lirë, të informuar dhe të vetëdijshme./Albinfo.ch